Ky është dënimi eventual për Etrit Berishën

Etrit Berisha mund të dënohet vetëm 10 ditë, për faktin se firmosi njëkohësisht me dy klube në verën e 2013-ës: Kievon dhe më pas Lacion. Lajmi është bërë i ditur dje nga mediat italiane, si dhe konfirmuar edhe nga zyrtarët e klubit lacial.

Në fund të janarit të këtij viti, Komisioni Disiplinor në federatën italiane dhe Prokuroria Federale mori vendim për nisjen e hetimit për kontratat e Berishës dhe dje, mes avokatit të klubit të Lacios dhe atij të prokurorisë, është rënë dakord që portieri ta pranojë fajin dhe të dënohet me një pezullim minimal prej 10 ditësh. “Kemi arritur një akord me Prokurorinë për një pezullim prej 10 ditësh. Tani do na duhet që të presim edhe mendimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Kësisoj, vendimi është shtyrë për më datë 19 mars”, ka thënë dje avokati Xhian Mikele Xhentile, i cili përfaqëson Lacion. Berisha akuzohet se në gusht të 2013-ës firmosi parakontratë me Kievon, të cilën klubi veronez më pas e depozitoi në federatë. Një muaj më vonë, Berisha e hodhi poshtë këtë kontratë me idenë se nuk kishte kuptuar se çfarë kishte firmosur (parakontrata ishte vetëm italisht dhe portieri pohoi se nuk kishte kuptuar asgjë se çfarë kishte firmosur), kjo më së shumti duke parë interesimin e Lacios karshi tij.

Në fakt, më 2 shtator 2013, klubi lacial u pagoi 400 mijë euro suedezëve të Kalmarit që kishin në pronësi kartonin e Berishës dhe bënë të tyret portierin e Kombëtares shqiptare. Të ndier të tradhtuar, drejtuesit e Kievos bënë padi në federatë dhe historia vijoi deri tanimë, teksa pritet vendimi final. Për rastin në fjalë hetoi edhe FIFA, por kjo e fundit nuk doli në asnjë përfundim, duke mbyllur çështjen pa dhënë vendim, as pro dhe as kundër.

loading...