Kushtrim Bajraktaraj nga Peja, kampion mbarëkombëtar në bodybuilding (FOTO)

Pas HardhFestit dhe Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, të shtunën mbrëma në Rahovec u mbajt edhe një eveniment madhështor në arenën sportive, kampionati i Kosovës dhe mbarëkombëtar në Bodybilding dhe Fitness, nën organizimin dinjitoz të Federatës së Bodybildingut të Kosovës.

Salla e Qendrës Kulturore “Mensur Zyberaj”, me 600 ulëse ishte e vogël për të pranuar më shumë adhurues të këtij sporti tashmë mjaft të popullarizuar.

Moderatori Artan Muhaxhiri, në fjalën hyrëse përshëndeti të gjithë të pranishmit, strukturat komunale, Ministrin Avdulla Hotin, drejtorin e Drejtorisë për KRS në Rahovec, Gardalin Shtavica i cili u shpreh se kjo garë çdo vit po organizohet nga qyteti në qytet, dhe tash i ka ardhur radha edhe Rahovecit që të thotë fjalën.

Garat i shpalli të hapur me një fjalë përshëndetëse Sabri Dragusha, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Bodybildingut të Kosovës, ndërkaq 48 garues nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, kanë garuar në 17 kategori.

Pas prezantimit gjegjësisht garimit të pjesëmarrësve, bicepseve, tricepseve, pozitave abdominale dhe të tjera, kampion absolut i Kosovës dhe mbarëkombëtar u shpall Kushtrim Bajraktaraj i klubit të Bodybildingut nga Peja. /Gazetaolle.com

4 3 2 1