Kush do të jetë kapiten i Prishtinës? Përgjigjet Dallku

Ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, Armend Dallku nga sezoni i ardhshëm do të jetë pjesë e Klubit futbollistik Prishtina edhe pse u mendua për një pensionim të tij.

Dallku i ka dhënë lamtumirën e fundit klubit Vorskla Poltava edhe pse kjo e fundit u kualifikua në Evropaligë, për t’u bashkuar me klubin e tij të parë si lojtar profesionit KF Prishtina, shkruan Indeksonline.

Sipas disa raporteve të fundit, mbrojtësi nga Vushtrria pritet të jetë edhe kapiteni i Prishtinës. Megjithatë Dallku ka folur për Indeksonline, duke thënë se nuk ka shumë rëndësi kush e mban shiritin e kapitenit, më të rëndësishme për të duket se janë vetëm sukseset në këtë klub.

“Nuk ka shumë rëndësi kush do të jetë kapiten, me rëndësi ka që ekipi të funksionoj siç duhet dhe të bëhet diçka më ndryshe në organizim të ekipit si brenda fushës ashtu edhe jashtë saj”, ka thënë për Indeksonline, Armend Dallku.

Prishtina në sezonin e kaluar nuk dha shumë nga vetja, ku përfunduan në pozitën e tetë me 43 pikë, por ata arritën të fitonin Kupën e Kosovës. Ndërsa në sezonin e ri Prishtina tashmë ka filluar të forcohet me lojtar të rinj, pasi e pret një tjetër garë e rëndësishme pasi Kosova tashmë është pranuar në UEFA dhe FIFA.