‘Kundër De Biasit’

Matijas Kek i del kundër De Biazit dhe Kombëtares shqiptare. Trajneri i skuadrës së Rijekës ka folur mbi situatën e mesfushorit të Kombëtares shqiptare, Odise Roshi. Në deklaratën e tij për gjendjen e futbollistëve, trajneri ka thënë se mesfushori fierak mund të jetë dëmtuar në miqësoren me Francën.

Në një intervistë të dhënë për “Novilizt.hr”, Kek është pyetur mbi faktin e rikthimit të fierakut dhe ka thënë se shpreson shumë në një rikthim të shpejtë. “Ai ka ardhur me një problem që nga skuadra e tij, ose ka mundësi që të jetë dëmtuar në ndeshjen miqësore të Shqipërisë me Francën.

Dëmtimi duket se po rikuperohet dhe shpresoj që ai të fillojë stërvitjen me skuadrën. Sigurisht që do ta dëmtojë fakti që nuk u stërvit me ekipin në këtë fazë përgatitore. Ndoshta edhe ngarkesa jonë në ato ditë ishte shumë e lartë dhe probabiliteti që lojtarët të dëmtohen është shumë i madh. Megjithatë, mendoj se gjërat nuk janë shumë keq dhe se ai do të rikthehet shumë shpejt. Në fillim ai shmangej ndaj kontakteve dhe kishte kujdes, por kjo ndodhi dhe tashmë presim që të rikthehet plotësisht i gatshëm”, ka deklaruar Kek .