Kukësi pritet të mbet pa yllin e skuadrës që ka pagën 20 mijë euro

Kristal Abazaj u huazua në fillim të sezonit, nga skuadra belge e Anderlehtit, drejt Kukësit, ku gradualisht po fitonte formën e dikurshme, duke u shndërruar në një protagonist te skuadra verilindore.

Situata e krijuar për shkak të Koronavirusit, pritet të rëndojë nga ana ekonomike, futbollistin e Kombëtares, të cilit i është kërkuar nga klubi belg që të heqë dorë nga paga, për të paktën 1 muaj. Kujtojmë që Abazaj, edhe pse është i huazuar, një pjesë të pagës, e merr pikërisht nga belgët.

Gjithashtu mediat belge bëjnë me dije, se në fund të sezonit, të gjithë lojtarët e huazuar, përfshi këtu edhe Abazajn, do të shiten, për të rikuperuar sadopak dëmin e madh ekonomik që po shkakton pandemia e Koronavirusit.

Për sa i përket pagës, shqiptari përfiton 12 mijë euro nga skuadra e Anderlehtit dhe 8 mijë euro nga skuadra e Kukësit. Paga e tij në total shkon 20 mijë euro. Një shifër e majme kjo për një futbollist shqiptar.