Kukësi largon këta kosovarë nga skuadra

Zhgënjimi i humbjes së Kupës së Shqipërisë ka përfshirë skuadrën kuksiane. Presidenti Safet Gjici, ka mbetur i irrituar nga fakti që lojtarët e tij nuk iu përgjigjën në fushë. Nga sa bëhet e ditur, ndër futbollistë të veçantë ka pasur edhe pakënaqësi për financat, ndonëse në këto tri vite skuadra kuksiane, ka qenë thuajse më e paguara, madje dhe e shpërblyer me shuma të majme.

Ndërkohë, duket se me vendimin e presidentit Safet Gjici, si dhe me “OK”-in e stafit teknik, nga skuadra kuksiane do të largohen disa lojtarë, madje dhe titullarë të rëndësishëm nga ata të sezonit të shkuar. Duke nisur që nga porta me “gardianin” Argent Halilaj, ai i cili ishte “hero” dy sezone më parë, që duket se nuk bën më pjesë në planet e kuksianëve për sezonin e ardhshëm. Por edhe braziliani Pit, ka rezultuar një zhgënjim dhe ai nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Radanoviç.

Për të vazhduar me mesfushën, ku Kushtrim Lushtaku, Besar Musolli e Ylli Hoxha, kanë qenë larg preferencave të stafit të skuadrës. Madje, Lushtaku erdhi me shumë bujë, por që duket se edhe vetë drejtuesit janë shprehur të zhgënjyer për të, pasi prisnin më tepër dhe marrëdhëniet përfundojnë këtu. Ndërsa Hoxha e Musolli, kanë pasur edhe pakënaqësi, duke qenë se janë aktivizuar shumë pak me kuksianët në edicionin që sapo përfundoi. Por ashtu edhe Albi Dosti, mund të rikthehet në Durrës, pasi ka luajtur fare pak te kuksianët si me Artim Shaqirin trajner, ashtu edhe me Radanoviçin.

Enigmë mbetet e ardhmja e sulmuesit kryesor, Pero Pejiç, i cili ka qenë pa dyshim më i miri në Superiore. Por, edhe për Vilfor Hysën ende nuk është vendosur.