Kukësi i thotë lamtumirë Evropës me këtë rezultat

Kukësi i thotë lamtumirë Evropës. Pas humbjes 3-0 në tavolinë, verilindorët janë mundur edhe në ndeshjen e kthimit nga Legia e Varshavës me rezultatin 1-0 duke u eliminuar përfundimisht nga ky kompeticion. Të besuarit e Troisit u ndëshkuan nga goli i Kucharczyk në fillimin e pjesës së dytë, gol ky që mbeti në fuqi për gjithë takimin.

Pjesa e parë

Kukësi e  nis vrullshëm dhe mundohet të ushtrojë presing që në minutat e para, por futbollistët e Legias tregohen të kujdesshëm dhe rimarrin ata shumë shpejt organizimin e lojës. Mbrojtja e Kukësit tregohet e vëmendshme në shumë raste. Fragmenti më i spikatur i kësaj pjese të parë ishte në minutën e 42-të kur Duda depërton bukur mes mbrojtësve kuksianë dhe futet brenda zonës, gjuan tokazi me të jashtmen, por pret mjaft mirë Koçi duke shpëtuar portën nga një gol i sigurt. Për Kukësin nuk ka pasur ndonjë rast specifik pasi nuk kanë mundur dot të kërcënojnë si duhet portën e Kuciak. 45 minutat e para mbyllen me rrjeta të paprekura.

Pjesa e dytë

Me nisjen e fraksionit të dytë të ndeshjes, polakët gjejnë menjëherë golin. Sulmuesi Kucharczyk ka mposhtur portierin Koçi pas një asisti të dhuruar nga Duda. Legia në avantazh dhe tashmë gjithçka bëhet më e thjeshtë për ekipin polak që në pjesën e mbetur të takimit kanë edhe disa raste të tjera për të dyfishuar rezultatin, pro paraqitja e mirë e Koçit i ka mohuar golin. Kukësi bën shumë pak për të shënuar qoftë edhe një gol, duke u pajtuar me humbjen dhe eliminimin njëkohësisht. Tashmë duhet të presim si do të rrjedhin ngjarjet në kampin verilindor pas këtij eliminimi.