Kuka përzgjidhet në Komisionin e trajnerëve të Evropës

Driton Kuka edhe një herë është konfirmuar si një prej trajnerëve më të vlerësuar në botën e xhudos. Ai këtë javë është përzgjedhur në Komisionin e trajnerëve të Unionit Evropian të Xhudos.

Kjo është bërë e ditur përmes një letre që EJU-ja ia ka dërguar Federatës së Xhudos së Kosovës. Komisioni i Trajnerëve është një organ që vlerësohet shumë në EJU. Në fakt ka mision këshillëdhënës për Komitetin Ezkekutiv të EJU-së, por ka raste kur i delegohet edhe e drejta e vendimit, kur bëhet fjalë për çështje profesionale të xhudos.

Në Komisionin e Trajnerëve marrin pjesë një grup i përzgjedhur i trajnerëve evropianë, me suksese të mëdha, që kanë rol vendimtar në caktimin e politikave të EJU-së sa i takon anës sportive. “Komiteti Ekzekutiv i EJU-së në mënyrë unanime ka aprovuar propozimin që të ftojë Driton Kukën në Komisionin e Trajnerëve të EJU-së”, thuhet në njoftimin e Unionit Evropian të Xhudos. Në Komisionin e Trajnerëve janë gjithsej shtatë trajnerë të xhudos. “Është nder i madh për mua. Ky komision ka në përbërje trajnerë eminent. Është vlerësim për punën që bëjmë dhe për rezultatet që kemi arritur”, ka thënë Driton Kuka për Koha.net.

Kuka me nxënësit e tij ka fituar krejt çka mund të fitohet në botën e xhudos. Ka fituar, ndër të tjera, edhe medalje të artë olimpike me Majlinda Kelmendin. Jo të gjithë në EJU kanë përkrahur idenë që trajneri i Kosovës të jetë në Komisionin me peshë. Por Kuka vlerësohet lartë nga presidenti I EJU-së, rusi Sergey Soloveychik. Janë sukseset e shumta të xhudos kosovare, sidomos në kampionate evropiane, që kanë bërë që për Kukën të kenë respekt në EJU. Po ashtu vlerësohet lartë prezantimi që xhudoja kosovare ia bënë Evropës në gara ndërkontinentale.