Kryetari i Trepçës tregon gjendjen e lojtarëve të Trepçës, pas humbjes së vetëdijes në derbin me Prishtinën

Derbi në mes të Trepçës dhe Prishtinës në hendboll është ndëprerë për shkaqe humanitare.

Dy lojtarë të Trepçës kanë pësuar lëndime të rënda nga një përplasje mes tyre dhe më pas është vendosur të ndërpritet ndeshja, që nisi të shtunën në ora 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Ndeshja është ndërprerë në minutën e 11-të kur rezultati ishte 5:2 në të mirë të Prishtinës.

Gjatë lojës Vaglir Buqinca e Alban Shabani kanë pasur një përplasje në mes vete dhe kanë pësuar lëndime të rënda. Të dy janë dërguar në spital, ndërsa është raportuar që gjendja e tyre është më e mirë. Të dy lojtarëve u është kthyer vetëdija në spital.

Kryetari i Trepçës, Bujar Istrefi, ka treguar për gjendjen e lojtarëve.
“Lojtarëve u është kthyer vetëdija. Të dy ndodhen në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë”, thotë Isfrefi për Gazetën Olle.

“Të dy i kanë unazat e qafës të ndrydhne, po ashtu edhe brinjtë. Të dy kanë dhimbje të mëdha. Po i presim rezultatet e ekzaminimeve të mjekëve”, shtoi numri një i Trepçës, i cili po qëndron përkrah lojtarëve.

Të dy klubet janë pajtuar që ndeshja të ndërpritet dhe të vazhdojë një ditë tjetër.