Kryetari i Federatës së Skitarisë paralajmëron skiatorët në Brezovicë: Kujdes nga ortekët

Pas humbjes së jetës së zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci, në Qendrën e skijimit në Brezovicë, është vlerësuar se përveç rrugëve të rrezikshme për të shkuar në qendër, rrezik të përhershëm përbëjnë orteqet.

Kryetari i Federatës së Skitarisë së Kosovës, Milaim Kelmendi u tregua mjaft i ashpër me organet komunale për mospastrimin e borës dhe menaxhimin e Qendrës së Skijimit në Brezovicë, shkruan Gazeta Olle.

“Rruga është e tmerrshme, është në një formë e pastruar, në atë formë në të cilën dy makina nuk mund të kalojnë, aty është rreziku i parë. Rreziku i dytë është duke ardhur rrugës, është orteku që çdo vit bie. Do të thotë bie me qindra tonelata borë, tash kush e ka fatin nesër apo pasnesër, apo kurdo që lëshohet ajo, unë nuk e di dhe ai është rreziku i dytë.

Edhe në pistat e skijimit nuk ka ndonjë rrezik, por duhet të jenë të shtypura ashtu siç kemi kërkuar nga qendra e skijimit, jo vetëm nga kjo, por nga të gjitha qendrat e skijimit në Kosovë. Ne si Federatë e Skijimit e kemi parë se nuk ka siguri për sikijim derisa nuk zgjohen së pari orteqet që janë prezent”, u shpreh ai.