Kryetari i FBK-së, vjen me një falënderim special

Në fund të kësaj vere përplot aktivitete e risi basketbollistike e organizative për federatën tonë, në të cilën për herë të parë u paraqitëm me të gjitha gjashtë reprezentacionet e reja në Kampionate të Divizioneve B, për herë të parë u paraqitëm në Kampionat Evropian të 3×3, për herë të parë e organizuam një kampionat evropian të Divizionit B dhe për herë të parë u vizituam nga Presidenti i FIBA Europe, si zyrtari më i lartë ndërkombëtar basketbollit që ka vizituar vendin tonë, më lejoni të ndaj me ju, të dashur miq, ndjenjën e mirënjohjes për të gjithë ata që bënë të mundshme paraqitjen më të mirë të mundshme të shtëpisë së basketbollit të Kosovës dhe djemve e vajzave që e përfaqësuan vendin tonë, përkundër rezultateve në terren me të cilat nuk kam si të jem i kënaqur dhe analiza e thuktë e të cilave do të na pret në muajt në vijim.

Falënderimi kryesor shkon për stafin e mrekullueshëm të Federatës, të cilët në mënyrën më vetëmohuese të mundshme punuan parreshtur në organizimin e përfaqësueseve, kampionatit evropian dhe ndeshjeve parakualifikuese të ekipit tonë kombëtar.

Vlerësimi i lartë për organizimin dhe mikpritjen të cilin e mora sivjet në emër të Federatës është meritë e tyre! Elvira, Artina, Edita, Nadire, Faton, Granit, Elldin, Dren, Nderim dhe Bahri – ju lumtë!

Të gjitha vajzat dhe djemtë mbrojtën me nder fanellat e Republikës së Kosovës dhe ndanë kohën e tyre të çmuar nga pushimet e tyre nga janari deri në gusht për të dhënë djersë për vendin e tyre. Përkushtimi i tyre dhe trajnerëve dhe stafit të përfaqësueseve duhet vlerësuar lartë!

Sidoqoftë, kjo punë do të ishte e pamundur po mos të kishim përkrahjen financiare dhe materiale nga institucionet e Republikës së Kosovës të cilat besuan në Federatën tonë, aftësitë tona menaxheriale e organizative, dhe na mbështetën parezervë në implementimin e planeve të kësaj vere duke u mundësuar ekipeve tona përfaqësuese paraqitje të denjë dhe në kushte të barabarta me shtetet tjera evropiane.

Një falënderim i veçantë, në emër të tërë komunitetit të basketbollit, shkon për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen e programit të basketbollit dhe federatës sonë dhe për gatishmërinë për t’iu përgjigjur kërkesave tona shpesh në afate rekorde!

Organizimi i Kampionatit Evropian në Prishtinë do të ishte i pamundur pa përkrahjen e dhënë nga Ministria e Sportit dhe Komuna e Prishtinës. Pa dashur të përmend emra të përvetshëm, më duhet të shpreh mirënjohjen time më të thellë për udhëheqësit dhe zyrtarët më të lartë institucionalë për besimin dhe mbështetjen e tyre.

Në muajin e parë të fillimit të zbatimit të ligjit të sponzorimit, ‘nuk kam si mos t’i falënderoj edhe të gjithë sponsorët e federatës, shumë prej të cilëve e kanë fituar moti epitetin e partnerëve të FBK-së në rrugëtimin e saj. TEB Kosova si sponsor gjeneral dhe përkrahës shumëvjeçar i reprezentacioneve të Kosovës në basketboll, ArtMotion si partner medial i federatës dhe përkrahës i përhershëm i saj në kërkesat e shumta nga fusha e teknologjisë informative dhe e komunikimit, Spitali Amerikan në Kosovë si sigurues i shërbimeve shëndetësore për mbi 100 sportistët dhe sportistet e angazhuara këtë verë, si dhe për mbi 150 pjesëmarrësit e Kampionatit Evropian të organizuar në Prishtinë, Vitaminka Kosovë që për sa vite i ka sponsoruar dhe vazhdon t’i sponsorojë ligat e të rejave dhe rinjve, e së fundmi ishte edhe sponsor gjeneral i Kampionatit Evropian që ne organizuam, Korporata Rugove që vuri në dispozicion tonë të gjitha kapacitetet e saja për ta shuar etjen e ekipeve të Kosovës dhe miqve tanë evropianë, si dhe të gjithë sponsorët tjerë tanë të cilët ishin instrumentalë për mbarëvajtjen organizative të punës me reprezentacionet. Shpresoj se bashkëpunimi me të gjithë partnerët tanë veç sa do të intensifikohet tash kur ata tanë gëzojnë lehtësirat e akorduara me ligj.

Në fund, sigurisht jo për nga rëndësia, më duhet t’i falënderoj edhe dhjetëra vullnetarët e angazhuar gjatë kësaj vere nga federata për përfaqësimin e mirë që ia bënë vendit të vet, duke bërë që të gjitha ekipet mysafire të kampionatit të ndjehen si në shtëpi dhe përkundër paragjykimeve që mund t’i kenë pasur para ardhjes, të largohen nga Kosova me mbresat më të mira të mundshme.

Tash, pas një pauze të shkurtër dhe përgatitjes për edicionin e ri, nga data 24 shtator, federata do të kthehet me plot risi e basketboll edhe më cilësor në tri kategori të seniorëve dhe dy të senioreve, me 12 kategori të grupmoshave të reja, me gara të kampionatit dhe kupës për çdo kategori dhe me transmetime televizive në ArtMotion e KlanKosova e prani më të madhe në internet për të gjithë basketbolldashësit në Kosovë.