Kryeministri Mustafa pret tifo-grupin “Dardanët”

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim tifozët e ekipit përfaqësues të Kosovës në Futboll “Dardanët”. Këta të fundit ia dhanë kryeministrit një fanellë të tyre, ndërkaq Mustafa tha se do të shkoj në “Loro Boriçi” të enjten për ta përkrahur Kosovën kundër Kroacisë

Duke i falënderuar për angazhimin e tyre në përkrahjen e ekipit shtetëror të Kosovës, kryeministri Mustafa theksoi se kjo mbështetje është shumë e rëndësishme që të arrihen rezultate në garat ndërkombëtare.

“Për ne është me rëndësi themelore që tani e kemi një ekip i cili e përfaqëson Kosovën si shtet jashtë dhe po identifikohemi si shtet në të gjitha lojërat. Do të jenë raste shumë të mira që edhe adhuruesit e futbollit por edhe simpatizantët që s’arrijnë të jenë gjithmonë në fusha të sportit, të përkrahin futbollistët tanë”, tha kryeministri Mustafa, duke i falënderuar për përkushtimin dhe përkrahjen e futbollistëve.

Mustafa po ashtu, tha se futbollistët e Kosovës do të kenë nevojë për kurajën, përkrahjen dhe zërin e publikut, duke bërë të ditur se edhe ai do të jetë prezent në ndeshjen e të enjtes kundër Kroacisë.

Përfaqësuesit e tifozëve të ekipit të Kosovës në Futboll “Dardanët”, e falënderuan kryeministrin Mustafa për mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për reprezentacionin e Kosovës, duke theksuar se ata e ndjejnë obligim që të përkrahin ekipin e shtetit të Kosovës dhe se në këtë aspekt do të japin maksimumin.

Ata, po ashtu, shprehën besimin se futbollistët e Kosovës do të shënojnë rezultate pozitive në përballjet e tyre të radhës.

msutafii_1475498995-5005109 msudtafi-3_1475499006-5791455