Kroati nga Kosova fitoi medaljen e artë për Kroacinë në “Rio 2016”

Pas Kosovës edhe Kroacia ka fituar medaljen e parë të artë në këto Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro. Është interesante dhe koincidencë që edhe fituesi i medaljes së artë për Kroacinë ka lidhje me Kosovën.

Josip Glasnoviq është me prejardhje nga Janjeva në Kosovë, ku tash e qindra vjet jeton pakica kroate. Glasnoviq ka fituar medaljen e arte në kategorinë e qitësve në cakun lëvizës, e njohur me termin “trap”. Në të njëjtën kategori Kroacia kishte fituar medaljen e artë edhe në lojërat olimpike në Londër para katër vitesh, transmeton Koha.net.

Mediet kroate, pothuajse të gjitha, kanë shkruar shumë për rëndësinë e medaljes së artë që për Kosovën e ka fituar Majlinda Kelmendi. Kanë lartësuar edhe aftësitë e saja sportive, edhe dashurinë që ka ajo për atdheun e saj për çka, siç shkruan për shembull Jutarnjilist, ka refuzuar edhe oferta shumë të majme për të garuar për ndonjë shtet tjetër, por ka pritur që medaljen ta fitoj për Kosovën e sajë.

Kroatët me simpati të madhe kanë shkruar për Majlinda Kelmendin dhe rëndësinë që medalja e sajë ka për shtetin e ri të Kosovës. Kroacia edhe vet e ka përjetuar përvojën e afirmimit të shtetit përmes sportit dhe e dinë rëndësinë që ka medalja në lojërat olimpike.

Sikur për Majlindën mediet kroate tash shkruajnë edhe për heroin e ri të Kroacisë, Josip Glasnoviq. Edhe ai ka vuajtur shumë në jetë për të arritur këtë që ka bërë, dhe kjo falë po ashtu sakrificës së tij dhe të familjes së tij.

Kuriozitet është se ai është ende i papunë edhe pse në moshën 33 vjeçare. Pas medaljes së artë olimpike si dëshirën e tij më të madhe e ka shprehur që të gjej një punë, qoftë edhe si pastrues.

Në një reportazh të botuar nga e përditshmja Veçernjilist, gazetari i kësaj gazete në humor thotë se “sikur familja Glasnoviq të mos ishte larguar nga Kosova para sa vitesh Kosova tash do ti kishte dy medalje të arta”.

I ati i Josip Glasnoviqit, Franjo Glasnoviq, ka qenë vullnetar në luftën atdhetare të Kroacisë dhe thotë se kjo ka qenë e vetmja përvojë e tij në qitje me pushke. Por ai ka qenë gjahtar dhe thotë se në gjah shpesh i ka marrë edhe fëmijët me vete dhe aty u ka lindur dashuria për sportin e qitjes.

Bartësi i medaljes së artë, Josip Glasnoviq ka pasur si i ri një fatkeqësi të madhe kur një therë i është futur në sy. Për këtë shkak edhe ishte shpallur si i paaftë për shërbim ushtarakë. Dhe tash ai bëhet fitues i medaljes së artë në një sport si qitja, ku të pamurit është elementi më i rëndësishëm.

Janjevasit thuhet se në Kosovë janë vendosur që në Mesjetë duke ardhur nga Dubrovniku. Në atë kohë Dubrovniku ka qenë ndër qendrat më të zhvilluara të rajonit, ndërsa zona rreth Janjevës në Kosovë ka qenë rrugë transit për tregtinë dhe përpunimin e arit dhe argjendit.

Prandaj shumë “janjevas” edhe sot e kësaj dite e mbajnë këtë traditë dhe merren me argjendari dhe bizhuteri. “Tash edhe Jsnjevasit kanë medalje të artë olimpike” ka brohoritur i ati i Josip Glasnoviqit pasi i biri i tij fitoi në finale të këtij sporti.

Pikërisht për faktin se familja Glasnoviq ka në pronësi një argjendari të vogël, në shaka në Zagreb tash thonë se “do ta dërgoj medaljen për ta vlerësuar në argjendari”. “Nuk ka gjasa ta bëj këtë. Thonë se ajo përmban vetëm rreth 5 për qind arë dhe është gati gjysmë kilogram!” ka thënë Josip Glasnoviq, duke shtuar se kjo medalje gjithsesi është me vlerë e cila nuk ka çmim.