Krasniqi: Nuk mundemi më shumë

Trajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi nuk është ndarë aspak i kënaqur me formën e skuadrës së tij, duke thënë se as në ëndërr nuk ka mundur të paramendoj këso ndeshje kaq të dobët.

“Lojë shumë e dobët që as në ëndërr nuk kisha mundur ta paramendoj, sidomos fakti që në Mitrovicë patëm paraqitje jashtëzakonisht të mirë dhe ku pothuajse 95% me të njëjtën ekip, ndërsa sot ndodhi krejtësisht e kundërta. Në vend që në fillim të ndeshjes të udhëheqim nga rasti i Krasniqit, na shkoi huq një rast i qindpërqindtë, pastaj me gjithë se e kam theksuar se duhet maksimalisht të jemi të përqendruar dhe të vendosur, pësuam nga dy kundërsulme jashtëzakonisht mirë të organizuara”.

“ Në pjesën e dytë ka qenë jashtëzakonisht vështirë të rikthehesh, megjithatë tentuam me disa ndryshime ta kapim ritmin. Por, ka qenë vështirë sepse rrezikonim dhe Hajvalia ka ditur të menaxhoj situatën mirë nga kundërsulmet. Tentuam edhe pas shënimit të golit, por Hajvalia u tregua shumë e rrezikshme nga kundërsulmet. Paraqitja e disa futbollistëve nuk ka qenë në nivel të duhur, një pjesë për mos të themi shumica. Kjo tregon se ky është niveli i tyre dhe është vështirë të kërkosh diçka më shumë prej tyre. Ky ekip, me 4-5 ndryshime mund të bëj diçka, por me këtë formë është vështirë, sidomos si kundër skuadrave si Hajvalia që sot luajti jashtëzakonisht mirë”.

Krasniqi u pa pas ndeshjes nervoz me gjyqtarin Fatmir Tahiri.

“Gjyqtari Tahiri mendoj se nuk ka qenë në nivel, ndoshta nuk jam korrekt, por është mendim i imi. Në shumicën e rasteve kriteri ka qenë i kundërt. Është hera e dytë që na gjykon, herën e parë një penallti…e njoh si gjyqtar, nuk ka nivel”.