Krasniqi: Ndryshojmë konceptin, luajmë për fitore

Ramiz Krasniqi pritet të debutoj me Prishtinën në një ndeshje shumë të vështirë kundër Istogut në stadiumin ‘Demush Mavraj’.

Krasniqi që kthehet në Prishtinë pas disa viteve do të mundohet që të marr tri pikë në Istog për të luftuar për kreun.  “Sigurisht se është një ndeshje më specifike për vetë faktin që Istogu lufton për ekzistencë, kurse ne normalisht do të luftojmë për rikthimin e kreut, pra do të luftojmë të rikyçemi në valle për titull. Një prej faktorëve shumë të rëndësishëm dhe që do të ketë shumë të madhe do të jetë edhe fusha e cila është jashtëzakonisht e papërshtatshme, e këtë nuk po e them vetëm për ne, por për të dy skuadrat. Sa do të mund të zhvillohet loja apo të organizohet ndonjë aksion. Ndërsa, vetë fakti që Istogu ka treguar rezultate të mira, sidomos në pranverë pas krizës së madhe në vjeshtë, pres që të dy skuadrat do të japin maksimumin. Kurse për ne, e rëndësishme është dëshira e madhe për fitore dhe rikthim. Pra, do të jetë vështirë, por më së miri aty tubohen pikët”, ka thënë për ndeshjen, kryetrajneri Ramiz Krasniqi për ‘prishtinafc.com’.

Trajneri Krasniqi thotë se bashku me kolegët e tij do të ndryshojë konceptin e lojës. “Sigurisht që me kolegët e mi diçka do të ndryshojmë, sidomos sa i përket konceptit të lojës, në formacion mund të jetë një ndryshim, ndërsa kuptohet që do të startojnë futbollistët cilësor dhe të njëjtën kohë që kanë karakter dhe një shpirt luftarak që kanë cak e ai dihet motivi gjithmonë për fitore. Pra ka vështirësi, por për të ardhmen do të koncentrohemi e të punohet të bëjmë një ekip sa më stabile me një përqendrim maksimal në çdo ndeshje”, ka thënë trajneri i njohur si “Mizi”.