Krasniqi merr leje nga FIFA që të luajë për një kombëtare aziatike

Liridon Krasniqi do ta përfaqësojë vendin aziatik në kualifikimet e Kampionatit Botëror 2022. Ai e mori lejen e FIFA-s pasi e kishte marrë edhe nënshtetësinë e Malajzisë në fillim të shkurtit

Liridon Krasniqi e ka marrë edhe zyrtarisht lejen nga FIFA për t’i mbrojtur ngjyrat e Kombëtares së Malajzisë, shkruan Gazeta Express.

Futbollisti kosovar javë më parë e kishte marrë nënshtetësinë e vendit aziatik pasi luajti për pesë vjet në këtë shtet.

Ndërsa tash, kjo Kombëtare e ka marrë një lajm të mirë, pasi tash e tutje do të mund të llogarisë edhe në mesfushorin shtatlartë.

Krasniqi do të mundohet ta ndihmojë Malajzinë në kualifikimet e Kampionatit Botëror 2022.

Futbollisti i natyralizuar aktualisht luan në klubin Johor Darul Ta’zim, ndërsa nga 3 shkurti ishte bërë shtetas i Malajzisë.

28 vjeçari në të kaluarën kishte luajtur për ekipin U-21 të Shqipërisë, ndërsa më pas ishte grumbulluar edhe tek Kosova.

Por, viteve të fundit nuk mori ftesë nga “Dardanët”, prandaj edhe e zgjodhi Malajzinë.

“Liridoni e ka marrë lejen e FIFA-s dhe tash do ta vendosim atë në listën e skuadrës sonë kombëtare për rrethin e dytë të kualifikimeve të Botërorit 2022”, ka thënë zëvendës-presidenti i Federatës së Futbollit të Malajzisë, Yussoff Mahadi.

Sidoqoftë, nevojitet edhe aprovimi i selektorit të Malajzisë, Cheng Hoe për të luajtur për ekipin kombëtar.

“Lojtari do të vlerësohet në bazë të paraqitjeve të tij dhe më pas do të ftohet nëse është dakord trajneri Cheng Hoe”, përfundoi Mahadi.