Kosovës mundi t’i kthehet ‘Mister goli’

Enis Fetahu ka më shumë se dy vite që kur ka zhvilluar ndeshjen e fundit. Por 34-vjeçari ende nuk i ka varur këpucët e futbollit në gozhdë. Ai ka synim që t’i kthehet sërish fushës së blertë. Madje fuqishëm, ashtu edhe siç e kishte lënë.

Në qershorin e vitit 2013, Fetahu me dy gola të shënuar gjatë 10 minutave të fundit të takimit u përkujdes për fitoren e Prishtinës me rezultatin 3:2 në ndeshjen revyale kundër “Yjve të Kosovës” ku bënin pjesë lojtarë si Granit Xhaka, Lorik Cana, Valdet Rama, Migjen Basha, Shefki Kuqi, Samir Ujkani, Armend Dallku e shumë të tjerë. Atëbotë Prishtina ishte edhe kampione e Kosovës në futboll dhe kishte organizuar një ndeshje kundër “Yjeve të Kosovë” për nder të 90-vjetorit të themelimit të klubit Prishtina, shkruan sot Koha Ditore.

“Nuk e kam lënë futbollin. Ndeshja kundër `Yjeve’ ishte e fundit tash për tash”, ngul këmbë Fetahu.

Ai tregon edhe arsyen pse është larguar nga futbolli aktiv gjatë këtyre dy viteve.

“U angazhova në punë dhe biznes, por planifikoj të kthehem”, ka thënë Fetahu.

Një nga sulmuesit më në zë në futbollin e Kosovës ngul këmbë se do të tentojë të kthehet të luajë të paktën edhe një vit. Megjithatë, thotë se nuk do ta ketë të lehtë.

“Nuk do ta kem të lehtë, por do të provoj”, thotë ai.

Bindjen se mund të kthehet e ka fituar duke parë cilësinë e Superligës e që vlerësohet të jetë jo edhe aq e mirë. Edhe pse me biznesin e tij privat, ai gjen kohë që të jetë i pranishëm gati në çdo ndeshje që Prishtina e zhvillon në shtëpi.

“Me sa po e shoh kualitetin unë, është zero në Superligë. Dhe, besojë se me ushtrime intensive për 45 ditë mund të kthehem të luaj edhe një vit e më pas ta lë futbollin”, thotë ai.

Fetahu me futboll ka nisur qysh në moshën 9-vjecare. Dy vite më vonë ai u bë pjesë e Shkollës së Futbollit 2 Korriku i Prishtinës që vlerësohet të jetë një nga shkollat që punon më së shumti me të rinjtë. Talenti i Fetahut u zbulua pikërisht në 2 Korrik.