Kosovarët që përjetuan ferrin në Shqipëri

Kishte shkuar me entuziazëm nga Prishtina në Shqipëri, me shpresën se atje do të gjejë “parajsën”. Por, Adnan Haxhaj, bashkë me Kreshnik Lushtakun, e kishin hequr “të zinjtë e ullirit” gjatë kohës sa kanë qëndruar në Shkodër.

Sipas tij, Vllaznia u bënte zullum lojtarëve kosovarë, të cilët i linte të flinin në një konvikt, e po ashtu nuk ua jepte siç duhet rrogat. Gjashtë muaj të kaluara në Shqipëri ishin si 600 vjet për Haxhajn e Lushtakun, të cilët u kthyen të zhgënjyer në Kosovë

E konsideronte Shqipërinë si një mundësi superiore për të bërë hapa të tjerë të mëdhenj në karrierë. Dhe, posa i ishte ofruar mundësia për të luajtur për Vllazninë, Adnan Haxhaj menjëherë e kishte lënë Prishtinën dhe Superligën e Kosovës, për t’u transferuar në Superioren shqiptare.

Ky transferim pati ndodhur në afatin kalimtar të verës. Por, me të shkuar në Shkodër, futbollisti kosovar kishte nisur të pendohej, pasi kishte hasur në një tretman të tmerrshëm, krejt të kundërt prej asaj që e kishte pritur.

Dhe, pas gjashtë muajve të kaluar me zor në Shqipëri, Haxhaj tani është kthyer në Kosovë, për të treguar se eksperienca e tij gjashtëmujore në Shqipëri ka qenë dhe do të mbetet më e keqja në karrierën e tij.

Ish-lojtari i Trepçës thotë se në Shkodër futbollistët kosovarë trajtoheshin krejt ndryshe prej lojtarëve vendorë, duke treguar se për një kohë nuk i kishin bërë as zgjidhje normale për banim, duke e vendosur në një konvikt.

“Lojtarët më me emër, të cilët vinin nga Shqipëria, u bënin zgjidhje për banim qysh natën e parë, kurse futbollistëve nga Kosova jo, duke na lënë në konvikte në vende të cilat ne si futbollistë nuk na takon të qëndrojmë. Vetëm pas më shumë se dy muajve qëndrim në një konvikt na patën vendosur në një banesë diç më të mirë”, rrëfen Haxhaj për gazetën “Zëri”.

Ai thotë se të pakta janë klubet në Shqipëri prej të cilave futbollistët kosovarë mund të kenë tretman e përfitime financiare dhe se krejt Shqipëria nuk është “parajsë” siç thuhet në Kosovë, sidomos nga menaxherët që merren me transferim të lojtarëve nga Kosova drejt Shqipërisë.

“Te pagat nuk kanë qenë aspak korrektë pasi lojtarëve shkodranë ua jepnin pagat, ndërsa neve nga Kosova jo, duke u arsyetuar për vonesat”, theksoi Haxhaj, i cili me t’u kthyer në Kosovë nga Shqipëria nënshkroi kontratë me Llapin.

“Me Vllazninë e kemi shkëputur kontratën me marrëveshje. Ata nuk na kanë dalë në fjalë, por kjo le të mbetet në ndërgjegjen e tyre”, thotë i zhgënjyeri Haxhaj.

“Me ndërrimin e trajnerit ndryshoi gjithçka. Armir Grima nuk më ka ftuar as në 18-she, arsyet nuk i di se cilat ishin. Lojtarët e Kosovës, në Vllazni, janë shkelur, nuk ka qenë arsyeja pse kemi luajtur dobët, por ai me siguri ka pasur arsye personale”, shtoi ai.

“Sjellja e tij ndaj tre kosovarëve, ndaj neve, nuk ka qenë fare korrekte. Më pas jam aktivizuar te Vllaznia B, pa ndonjë arsye. Në Vllazni, kam shkuar për të treguar vlerat e mia si futbollist dhe të jap maksimumin. Më është premtuar se do të luaj, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Janë munduar që të më ulin vlerat e mia, por nuk ia kanë arritur”, pohoi Haxhaj.

Ai ndihej i diskriminuar, pasi në Vllazni kah fundi e linin të ushtronte i vetmuar, jashtë grupit të lojtarëve, e më pas trajneri i kishte thënë të shkojë në ekipin B, me ç’rast Haxhaj përfundimisht kishte humbur durimin dhe vendosi të largohet.

“Pritja ka qenë katastrofale, sjellja e tyre ishte tejet e keqe”, shprehet Haxhaj, duke shtuar se tretman të njëjtë kishte edhe kosovari tjetër, Kreshnik Lushtaku, me të cilin bashkërisht u larguan nga Shkodra.