Kosovare Asllani ‘më burrë’ se Shaqiri e Xhaka, këmbëngul t’i festojë golat me shqiponjë

Kosovare Asllani nuk mund të ndalet nga askush.

Edhe pse ishte kritikuar për festimin me shqiponjë pas golit që e kishte shënuar ndaj Ukrainës, futbollistja kosovare e ka formuar përsëri me duar shqiponjën – simbol i shqiptarëve, në Kampionatin Botëror të futbollit për femra, i cili po mbahet në Francë

Kosovare Asllani e kishte festuar golin ndaj Ukrainës, në ndeshjet kualifikuese duke e formuar me duar shqiponjën dykrenore – simbol i shqiptarëve, shkruan Gazeta Express.

Ky veprim ishte kritikuar dhe ishte konsideruar si provokues, ndërsa atë e kishte qortuar edhe Federata Suedeze e Futbollit.

Mirëpo, Kosovarja në atë kohë kishte thënë se është çështje emocionesh dhe nuk kishte garantuar se nuk do ta bënte prapë. Dhe, Kosovarja duket se nuk është përmbajtur as në Kampionatin Botëror të futbollit për femra, ku po e përfaqëson Suedinë.

Ajo e ka bërë shqiponjën dykrenore me duar përpara kamerave edhe para ndeshjes gjysmëfinale të Botërorit ndaj Holandës, të cilën e humbën suedezet me rezultat 0:1.