Kosova të premten mëson kundërshtarët për kualifikimet në Evropian

Të premten, më 22 janar në Gjermani do të bëhet tërheqja e shortit për kualifikimet për Kampionatin Evropian, i cili në vitin 2017 do të mbahet në katër shtete, Finlandë, Turqi, Izrael dhe Rumani.

FBK-ja përmes faqes zyrtare ka bërë të ditur se në Munih të pranishëm do të jenë edhe kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu dhe sekretari i përgjithshëm, Leart Hoxha, të cilët do të marrin pjesë në këtë tërheqje të shortit pasi edhe Përfaqësuesja A e Kosovës për herë të parë në histori të saj do të jetë pjesë e këtyre kualifikimeve, transmeton Koha.net.

Përveç faktit se Përfaqësuesja A e Kosovës do t’i mësojë kundërshtarët e saj të kualifikimeve, në të njëjtën kohë do të bëhet edhe tërheqja e shortit për Kampionatet Evropiane të të gjitha kategorive dhe në të dyja konkurrencat.

FBK në vitin 2016 përveç se do të marr pjesë me Përfaqësuesen A në kualifikime për Evropian, gjithashtu do të garojë edhe me 5 Përfaqësuese të kategorive të reja, prej tyre 3 të meshkujve dhe 2 të femrave e ato janë: Kosova U16-Divizoni C (meshkujt), Kosova U18-Divizoni B (meshkujt), Kosova U20 – Divizoni B (meshkujt), Kosova U16-Divizioni C (femrat) dhe Kosova U18 – Divizoni C (femrat).

Pas tërheqjes së shorteve në të gjitha kategoritë në Munih, FBK do t’i zyrtarizoj përzgjedhësit e Përfaqësueseve në të gjitha kategoritë dhe të në dyja konkurrencat.

Duhet theksuar se FBK në mars të vitit të kaluar është bërë anëtare e FIBA-s dhe në muajin korrik u pati paraqitur me dy Përfaqësuese në Kampionatet Evropiane në konkurrencën e meshkujve. Kosova U16 ka garuar në Kampionatin Evropian-Divizioni C, ku është shpallur nënkampione, kurse Kosova U20 ishte pjesë e Kampionatit Evropian – Divizioni B, në të cilin e ka përfunduar garën në vendin e 14-të.