Kosova, risia e Botërorit

Në St. Moritz të Zvicrës po mbahet Kampionati Botëror i Skitarisë, risi e të cilit po konsiderohet pjesëmarrja e Kosovës për herë të parë në një ngjarje të tillë.

Albin Tahiri është skitari i vetëm kosovar në St. Moritz. Reprezentuesi i Kosovës ka debutuar të mërkurën, për çka kanë raportuar mediet e mëdha zvicerane, të cilave për këtë Botëror u referohen edhe mediet e mëdha ndërkombëtare. “Për herë të parë në një Kampionat Botëror po merr pjesë edhe Kosova, me skiatorin Albin Tahiri. Ai ka debutuar në garën e ‘Super G’, që ishte historike për vendin e tij”, shkruante gazeta e madhe zvicerane, “Blick”.

“Pjesëmarrja e Tahirit në Botëror është një tjetër sukses për sportin dhe shtetin e Kosovës, i cili e ka shpallur Pavarësinë në vitin 2008. Vëmendjen më të madhe ky shtet e mori në vitin 2016 kur Federata e Futbollit e Kosovës u pranua në UEFA dhe FIFA. Tre muaj më vonë Kosova për herë të parë mori pjesë në Lojërat Olimpike, derisa Majlinda Kelmendi i solli medaljen e artë”, shkruante “Blick”.

Tahiri ka garuar të mërkurën në kategorinë “Super G”, të cilën e ka mbyllur duke u pozicionuar në vendin e 49-të me kohë prej një minutë, 36 sekonda e 29 të qindtat. Kësaj gare i kishin hyrë 72 skitarë, por 21 nga ta nuk kanë arritur ta përfundojnë shtegun e vështirë, pasi janë rrëzuar dhe kanë pësuar lëndime, me ç’rast është dashur të intervenohet me helikopterë për t’i marrë të lënduarit dhe për t’i dërguar në qendra mjekësore. Fatmirësisht, kosovari e ka kaluar mirë. Tahiri të enjten kishte ushtrime, kurse të premten e pret gara e radhës. Ai do të marrë pjesë në disiplinën e lëshimit. Pas lëshimit do të marrë pjesë në sllallom dhe sllallom të madh dhe në superkombinim. Bëhet e ditur se edhe kjo garë nuk do të jetë aq e lehtë për ta përfunduar skitarët.