Kosova për të mbyllur suksesshëm kampanjën kualifikuese, në “Fadil Vokrri” zbret Anglia e madhe

Kosova do të zhvillojë sonte ndeshjen e fundit në kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.

Në “Fadil Vokrri” zbarkon kundërshtari më i madh që ka ndeshur ndonjëherë Kosovën në Prishtinë, Anglia, përcjellë Gazeta Olle.

Ndeshja fillon prej orës 18:00 dhe atmosfera në stadium pritet të jetë e jashtëzakonshme, pikërisht ashtu siç ka qenë gjatë ditëve të fundit në kryeqytet.

Bernard Challandes ka disa dilema për formacionin startues, pasi që kjo të gjithë lojtarët ndjehen të freskët e në formë optimale fizike.

Në seancën e djeshme nuk stërviti Herolind Shala, i cili stërvitjen e ndoqi nga bankina, derisa i pranishëm ishte edhe Hekuran Kryeziu për t’i përkrahur bashkëlojarët para kësaj sfide të vështirë

“Për mua është një ndeshje mjaft e rëndësishme, sepse me këtë mbyllet cikli kualifikues dhe është e rëndësishme para lojës me Maqedoninë. Para kualifikueseve, nëse ju kujtohet, ju thosha se këto ndeshje do të na shërbejnë për të bërë përvojë dhe përparim”.

“Kjo ndeshje është mundësi e mirë për të bërë më shumë përvojë. Për ne do të jetë një ndeshje e mrekullueshme”, ka thënë Challandes.

Ai ka thënë se Anglia ka potencial të jashtëzakonshëm sulmues dhe shënon shumë gola.

“Për ne mbetet një sfidë e pabesueshme. Si trajner, mund ta shijoj këtë lojë. Kjo është ndeshja e 1001-të për Anglinë, ndërsa për ne është e 29-ta . Ata kanë më shumë përvojë se ne dhe nuk varen vetëm nga një futbollist”, ka shtuar Challandes. /Gazeta Olle/