Kosova synon të organizojë Kampionat Botëror

Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) është e gatshme të marrë përsipër organizimin e ndonjë kampionati botëror.

Kryetari i FHK-së, Eugen Saraçini, ka thënë se nuk është e rëndësishme nëse gara do të ishte për grupmosha të reja apo për të rritur. Sipas tij, e rëndësishme është pasi me organizime të tilla masovizohet hendbolli në Kosovë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kryetari Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci, të hënën kanë mbajtur konferencë në Prishtinë pas kthimit nga Sochi i Rusisë, ku ditë më parë FHK-ja u pranua me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF).

“Me vetë anëtarësimin shtohen apetitet tona, por edhe angazhimet tona. Kërkesa jonë në bisedë me presidentin e IHF-së ka qenë që ne të jemi në listën e organizimeve të ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare”, deklaroi Saraqini.