“Kosova e dha më të mirën”

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll e nisi kampanjën kualifikuese për Botërorin “Kina 2019″, me dy humbje, duke pësuar nga Lituania dhe Hungaria.

Basketbollistët dhanë maksimumin në fushë dhe ishin të barabartë me kundërshtarët në pjesët e para, derisa kjo ishte një përvojë e mirë për lojtarët e Kosovës, pasi është hera e parë që marrin pjesë në një garë të tilla.

Kosova për herë të parë është pjesë e garave kualifikuese për Kampionatin Botëror “Kina 2019″, ku kampanjën kualifikuese e filloi me dy humbje. Fillimisht pësoi në Prishtinë me rezultat 61:99, kurse në takimin e dytë pësoi humbje nga Hungaria me rezultat 84:76.

Basketbollistët kosovarë kanë dhënë maksimumin në fushë, dhe ishin të barabartë me kundërshtarët, sidomos në pjesët e para, derisa në ato të dyta u vërejt lodhja, dhe banka më e dobët rezervë se kundërshtarët.

Megjithatë, lojtarët e Kosovës kanë marrë shumë lëvdata për dy ndeshjet e luajtura.

Nuk është turp të humbasësh nga Lituania

Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, ka thënë se humbja nga Lituania nuk është e turpshme.

“Po, në ndeshjen e parë me Lituaninë u pa diferenca në cilësi ndërmjet dy Përfaqësueseve, që është shumë e madhe, dhe është pritur një rezultat i tillë. Për djelmoshat kosovarë ka qenë nder për t’u përballur me një Përfaqësuese si Lituania, që është e renditur në vendin e gjashtë në botë, dhe ka qenë shumë vështirë për basketbollistët e Kosovës të bëjnë diçka më shumë. Por, sidoqoftë ka qenënjë përvojë e mirë për të gjithë basketbollistët e Kosovës. Dhe nuk është turp të pësosh nga Lituania, edhe me një rezultat të tillë. Kjo ka qenë një përvojë e re për të gjithë ne”, deklaroi Blerim Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

Pjesa e parë e sfidës Kosovë-Lituani u përmbyllë me rezultat 35:35, derisa në pjesën e dytë mysafirët dominuan totalisht, sidomos në çerekun e katërt, dhe në fund arriti fitore me 38 pikë dallim.

Lituania edhe në sfidën e dytë shënoi fitore, duke mposhtur Poloninë si vendas 75:55. Lituanezët renditen në vendin e parë me katër pikë, duke u ndjekur nga Polonia dhe Hungaria me tri, dhe në fund Kosova me dy pikë.

Lodhja në pjesën e dytë

Ndërkohë, në ndeshjen e dytë Kosova ishte më e mirë në pjesën e parë 36:35 ndaj Hungarisë, kurse në pjesën e dytë hungarezët nuk lejuan befasi, duke kontrolluar lojën, dhe në fund shënuan fitore me tetë pikë dallim, 84:76.

Krasniqi thotë se në ndeshjen e dytë ndikoi mospërgatitje fizike. “Në ndeshjen kundër Hungarisë kishim rastin tonë, duke e ditur se Hungaria nuk është as për së afërmi Kombëtare, siç është Lituania. Unë mendoj se patëm rastin që të nxjerrim një rezultat më të favorshëm, pse jo edhe fitore. Mirëpo, mungesa e përqendrimit dhe bankës më të dobët rezervë na pamundësuan që të korrim fitore. Po ashtu u vërejt një lojë e madhe në taborin tonë. Sipas meje, mospërgatitje fizike dhe kondicionale e Përfaqësueses tonë na quan në disfatën e radhës”, ka theksuar Blerim Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

Pavarësisht dy humbjeve, gjasat e Kosovës për kualifikim ende nuk janë shuar, pasi do të ketë edhe katër ndeshje vitin e ardhshëm. Pjesë e këtij grupi kualifikues është edhe Polonia.