Koshat e Koshit

Atik Koshi ka dy vite që jeton larg familjes së tij. Familja e tij jeton në Gjakovë, kurse ai në Prishtinë. Ndarja e tij nga familja ka në arsye – për një karrierë më të mirë sportive.

Koshi 15-vjeçar është pjesë e skuadrës së Vëllaznimit të Gjakovës. Stërvitjet i zhvillon në Prishtinë, kurse për ndeshje udhëton në Gjakovë. E kjo sakrificë po i shpaguhet. Së fundi ishte pjesë e Përfaqësueses U16 të Kosovës, që në Evropianin e mbajtur në San Marino, përfundoi si nënkampione e Divizionit C. Koshi ishte ndër më të mirët te Kosova.

“Vetëm ndeshjet i kam zhvilluar në Gjakovë, sepse më duhet të jetoj vetë në Prishtinë për shkak të kushteve më të mira për basketboll”, thotë Koshi.

Koshi jeton në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë. Ai është i regjistruar edhe në shkollën e mesme “Xhevdet Doda”. Këtë vit ka përfunduar klasën e dhjetë me sukses të shkëlqyer, shkruan Koha Ditore.

“Para dy viteve kam ardhur në Prishtinë për të luajtur në ekipin e RTV 21, trajner e kisha Dritëro Sefajën”, tregon Koshi.

Atij i mungon familja, por thotë se vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet suksesi.

E sukseset, Koshit nuk i kanë munguar dhe nuk po i mungojnë.

“Me shkollë i kemi fituar garat republikane, ku jemi shkolla më e mirë në basketboll”, ka theksuar Koshi.

Koshi karrierën si basketbollit e ka nisur në moshën 6-vjeçare. Dëshira e babait të tij ishte për ta angazhuar në basketboll.

“Hapat e parë i kam marrë nga babai që gjithashtu e ka luajtur këtë sport”, thotë ai.

Klubi i parë ishte Vëllaznimi. Në këtë skuadër, ai trajner të parë e ka pasur Hektor Grezdën. Pas Vëllaznimit Koshi kaloi te skuadra “Megasport” e Prizrenit. Trajner në këtë skuadër ka pasur Edon Godenin. Në këtë skuadër ai qëndroi dy vite, ku edhe ishte shpallur nënkampion në gjeneratën e tij.

“Pastaj në edicionin 2013-2014 kam qenë pjesë e klubit të basketbollit RTV 21. Në këtë skuadër kam punuar me trajnerin Dritëro Sefaja, ku jemi shpallur kampion”, ka theksuar Koshi.

Në edicionin që përfundoi muaj më parë 2014-2015, Koshi u kthye në klubin e Vëllaznimit, ku i zhvillon vetëm lojërat, meqë stërvitet në Prishtinë. Me Vëllaznimin ai është shpallur nënkampion.

Pos historisë që ka, që luan në Gjakovë e stërvitet në Prishtinë, ai ka edhe një të veçantë tjetër – mbiemri i tij Koshi.

E atij i ka rastisur shumë herë të ketë dëgjuar shokët e tij të bërtasin me të madh kur ai shënon kosh “Koshhh”, tregon Koshi.