Komiteti i Lojërave Mesdhetare refuzon Kosovën

Ndonëse Kosova është pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) në fund të vitit të kaluar, nuk ia ka dalë të anëtarësohet në Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).

Vendimi për të refuzuar Kosovën u mor të enjten mbrëma në Asamblenë e Përgjithshme të ICMG-së që u mbajt në Pescara të Italisë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani që ndoqi nga afër punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, shkruan sot Koha Ditore.

“Nuk na pranuan”, ka thënë Hasani, që mbeti i befasuar nga rezultati i votimit.

Ky Komitet organizon Lojërat Mesdhetare, ngjarjen shumësportëshe që organizohet çdo katër vjet. Sportistët kosovarë, nëse nuk ndryshon diçka, nuk do të mund të paraqiten në Lojërat e ardhshme Mesdhetare që mbahen në Tarragona të Spanjës në vitin 2017.

Në Lojëra Mesdhetare paraqiten sportistë të vendeve që janë afër Detit Mesdhe. Pjesë e ICMG-së janë: Shqipëria, Algjeria, Andorra, Bosnja, Kroacia, Qiproja, Egjipti, Spanja, Franca, Maqedonia, Greqia, Italia, Libani, Libia, Malta, Mali i Zi, Maroku, Serbia, San-Marino, Sllovenia, Monako, Siria, Tunizia dhe Turqia.