KOK-u: Qeveria e Serbisë ia doli të ndalë karateistët në kufi, por nuk do të mund ta shuajë ëndrrën e tyre olimpike

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) e ka pritur me shqetësim të madh ndaljen në kufi të delegacionit të karatesë së Kosovës, të cilët udhëtonin për të marrë pjesë në Kampionatin evropian në Novi Sad.

Vendimi i Qeverisë së Serbisë për përzierjen në sport është në kundërshtim me Kartën Olimpike, me statutin e Federatës Botërore të Karatesë dhe me të drejtat e njeriut.

Një vendim i tillë i ligë, i cili ndodhi sot në kufirin e Mërdarës, nuk përkon me frymën sportive. Karateistët tanë nuk janë nisur për në Novi Sad si turistë, por me ftesë të Federatës Evropiane të Karatesë, si organizatore e Kampionatit të 53-të Evropian për seniorë.

Sot u bënë përpjekje për shuarjen e ëndrrave të shumë karateistëve për rezultate në nivelin evropian, duke iu mohuar shanset për të fituar medalje në kampionatin evropian dhe pikë për kualifikim në Lojërat Evropiane Minsk 2019 dhe Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, prej javësh ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Federatën e Karatesë së Kosovës, Federatën Evropiane të Karatesë dhe Federatën Botërore të Karatesë.

Edhe kas vendimit të sotëm, KOK-u menjëherë ka njoftuar Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON).

Pritshmëritë e KOK-ut janë që Federata Evropiane e Karatesë, Komiteti Olimpik Evropian dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të marrin masa ndaj organizatorit.

Po ashtu do të gjejnë rrugë për kompenzim të dëmtimit që iu ka bërë karateistëve të Kosovës.