Klubi kosovar nuk mund të garojë në Evropë për shkak të kësaj arsyeje

Sonte, në emisionin “Debati me Agim Kasapollin” janë të ftuar pjesëtarët e klubit të volejbollit Skënderaji: Zyla Kadriun, volejbolliste, Agron Istogun, kryetar i klubit, dhe Shera Behramin, kapitene në këtë skuadër.

Volejbollistet e Skënderajit e fituan Kupën e Kosovë. Në finale, kjo skuadër triumfoi ndaj M-teknologji Prishtina, kundër të cilave shënuan fitore me rezultat 3:1 në seta, raporton Gazeta Express.

Në emision “Debati me Agim Kasapollin” të ftuarin e shprehën zhgënjimin me mungesën e ndihmave financiare të ofruara nga Komuna e Skënderajit dhe nga Federata e Volejbollit të Kosovës.

Kapitenia Shera Behrami tregoi se qytetarët e këtij vendi ia kanë dhënë ndihmën e vetme financiare këtij klubi.

“Njerëzit e thjeshtë kanë kontribuar me nga 20 apo 50 euro. Ne kemi kërkuar ndihmë edhe prej komunës, por nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje pozitive. Këta njerëzit e thjeshtë janë më të rëndësishmit për ne”, është shprehur Behrami.

Ndërsa, kryetari i klubit,  Agron Istogu, zbuloi se ai vetë i ka dhuruar gjysmën e parave që klubi i ka shfrytëzuar deri më tani.

“Ne shpenzojmë vetëm gjysmën e parave që i shpenzojmë kundërshtarët tona. Ne në këtë sezon i kemi harxhuar vetëm deri në 6 mijë euro. Tre mijë euro janë pare të mia, që i kam ndarë nga familja ime”, ka thënë Istogu.

“As Federata s’na ndihmon asgjë. Më herët na kanë ndihmuar nga pak, ndërsa tash nuk na ndihmojnë aspak. Nuk e di pse. Ne nuk kemi garuar dhe nuk besoj se do të garojmë as tani në garat evropiane për shkak të mungesës së kushteve financiare”.

Zhgënjimin e saj me përkrahjen e treguar nga institucionet e shprehu edhe volejbollistja Zela Kadriu, e cila së shpejti do ta vazhdojë karrierën e saj në SHBA.

“Kam njohuri që institucionet nuk janë duke e kryer punën e tyre ashtu si duhet. Jam falënderuese për njerëzit e thjeshtë dhe tifozët e Skënderajit që na kanë ndihmuar edhe moralisht edhe financiarisht”, ka shtuar Kadriu

Emisioni “Debati me Agim Kasapollin” transmetohet cdo të shtunë në T7, në orën 22:30.