Klubi kosovar nga qyteti me traditë paralajmëron shuarjen, s’ka donatorë!

FC Prizreni e ka mbyllur kampionatin elitar të futsallit me ndeshjen ndaj Malishevës, e cila u përmbyll me fitore bindëse të prizrenasve me rezultat 5:1 fal një tregolëshi të, Ylli Mazreku, dhe dygolëshit të, Bajram Azizi.

Kjo fitore për prizrenasit ka qenë e pamjaftueshme për t’u plasuar në play-off, pasi që ata përkundër startit tejet të suksesshëm në pjesën e parë të kampionatit dhe si debutues në elitë, nuk ia dolen të futen në mesin e katër skuadrave që vijojnë garat për titull.

Mirëpo, vlen të theksohet se skuadra prizrenase asnjëherë nuk ka qenë e shqetësuar për të rënë, duke u radhitur në mesin e tabelës së klasifikimit.

Sipas drejtuesve dhe lojtarëve të skuadrës prizrenase, arsye kryesore e rezultateve jo të mira sidomos në stinorin pranveror, ka qenë gjendja e rëndë financiare në këtë klub.

Qëndrimi në elitën e futsallit kosovar të këtij klubi, është kryekëput meritë e lojtarëve, të cilët fal vullnetit të madh dhe respektit ndaj fanelës së qytetit të tyre, nuk i braktisen garat dhe e përmbyllen vitin e parë në elitë me sukses.

Ky klub, i cili është themeluar para tre vitesh, vetëm pas dy vitesh garimi në Ligën e Parë, ia doli të inkuadrohet në elitë fal lojtarëve të talentuar që ka në skuadër, e të cilët , për tre vite rresht nuk kanë marrë asnjë cent për mundin dhe angazhimet e tyre në këtë klub.

Drejtuesit dhe lojtarët, apelojnë tek donatorë të ndryshëm dhe institucione lokale, që ta ndihmojnë këtë klub, pasi që brenda tij ka potencial lojtarësh të cilët mund të radhisin FC “ Prizreni”, në mesin e skuadrave që luftojnë për trofe.

Sporti në Prizren, ndodhet në gjendje tejet të rëndë aktualisht, si rrjedhojë edhe e rezultateve zhgënjyese të skuadrave më me nam sportiv në këtë qytet.

Andaj, do të ishte më së e nevojshme që të ndihmohet FC “ Prizreni”, i cili me një mbështetje më të theksuar financiare nga donatorët dhe komuna, do të mund të arrinte të siguronte ndonjë trofe në kampionat apo edhe garat për kup, e që do të mundësonte edhe pjesëmarrje në garat ndërkombëtare të futsallit.