Klubi kosovar akuzon rëndë Federatën

Federata e Skitarisë së Kosovës ka mbajtur dy garat e para për sezonin 2017/18, por jo gjithçka ka shkuar ashtu edhe siç duhej.

Kjo pasi një nga skuadrat më të mira në vend KS Prishtina nuk ka marrë pjesë në gara, për shkak se thotë qëllimshëm FSK ka shkelur proporcionet e garave, të cilat i ka miratuar në Kuvendin e Punës në muajin dhjetor 2017.

Ata thonë se kushtet për gara nuk janë në përputhje me rregulloret, statutin dhe Federatën Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS), pasi favorizojnë ata që nuk i përmbahen rregullave, ndërsa diskriminojnë garuesit që i respektojnë të njëjtat.

Anëtari i Bordit të KS Prishtina, Milot Vokshi thotë se vendimet për t’i ikur rregulloreve janë të qëllimshme dhe për të favorizuar disa klube.

Vokshi insiston se nuk mund të bëhet kompromis për shkelje të qëllimshme, më arsyen se dëshirojnë të masivizojnë më shumë këtë sport, sepse pastaj garuesit nuk janë të barabartë.

“Të vendosur pranë kësaj situate, nuk kemi qenë të pajtimit të jemi pjesë e shkeljeve të tilla që favorizojnë garuesit të cilët nuk i përmbahen rregullave në fuqi të FSK-së dhe FIS-it dhe në anën tjetër i diskriminojnë garuesit të cilët i respektojnë të njëjtat, prandaj në mbledhjen e mbajtur të Bordit të KS Prishtina, është vendosur se në këto kushte dhe deri në respektimin e plotë të Rregulloreve në fuqi, të mos marrim pjesë në gara”, thotë Vokshi për Express.

Sipas rregullave në fuqi të FIS, për U14 dhe U16 – radiusi duhet të jetë 17 e më shumë, ndërsa për U18, U21 dhe senior – Radiusi duhet të jetë 30 e më shumë.

Për më shumë, ai njofton se FSK po tenton që t’i ndryshojë rregulloret e garave, ani pse diçka e tillë është e ndaluar me statut të federatës dhe me udhëzim administrativ për Themelimin dhe Licencimin e Federatave dhe Shoqërive Sportive.

Bazuar në tentativën e tyre që të ndryshojnë Propozicionet e Garave të Federatës Skitare të Kosovës për Vitin Kalendarik 2017/2018 për Kupat Alpike, kryejnë shkelje flagrante të:

1. Vetë Statutit të FSK-së, Neni 22 RREGULLORET E BRENDSHME, Paragrafi 1-rë, “Rregulloret e brendshme dhe propozicionet e garave nuk guxojnë të pësojnë ndryshime, gjatë edicionit garues i cili është në rrjedhë e sipër”

2. Udhëzimit Administrativ numër 02/2015 për Themelimin dhe Licencimin e Federatave dhe Shoqërive Sportive, Neni 23, paragrafi i 2-të i, “Sistemi, rregulloret e brendshme dhe propozicionet e garave të miratuara nga Federata e Sportit NUK MUND TË NDËRROHEN gjatë edicionit garues i cili është në rrjedhë e sipër”.

Pikërisht për këto shkelje dhe tentim të ndryshimit të Proporcioneve të garave për vitin kalendarik 2017/18, KS Prishtina ka bërë ankesë për:

1.       Anulimin e Rezultateve të dy garave të mbajtura me 13 dhe 14 janar 2018

2.       Obligimin e FSK-së që t’i përmbahet rregullave të votuara dhe miratuara në Kuvendin e Punës, si dhe ligjeve në fuqi

3.       Marrjen e masave përkatëse ndaj shkelësve duke u bazuar në Nenin 50, dhe atë paragrafi 50.1 i Ligjit për Sport 04L-075, keqpërdorimin ose shkeljen e të drejtave të sportistëve dhe të klubeve sportive, rregullsinë e punës së federatave sportive si dhe paragrafin 50.3 “organi mbikëqyrës i Ministrisë përkatëse për Sport në përputhje me këtë ligj shqipton masa disiplinore ndaj personave dhe organizatave sportive”

Kjo ankesë i është dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS-së, Drejtorit të Departamentit të Sportit në MKRS, Menaxherit të FSK-së, kryetarit të KOK-ut dhe Sekretarit të Përgjithshëm të KOK-ut.

Gazeta Express ka tentuar të kontaktojë edhe kryetarin e Federatës së Skitarisë së Kosovës, Milaim Kelmendi, por telefoni i tij nuk ka qenë i qasshëm. /Express/

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/sport/fsk-qellimshem-shkel-proporcionet-e-garave-ks-prishtina-kerkon-marrje-te-masave-dhe-perseritje-te-garave-488552/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright