Klubi i Vala Superligës me trajner nga Portugalia, e konfirmon kryetari i klubit

Shumë futbollistë të huaj kanë luajtur pasluftës në Kosovë, por kur bëhet fjalë për tajnerë, klubet kosovare i kanë preferuar më shumë trajnerët vendorë.
Janë të rrallë trajnerët e huaj që i kanë drejtuar klubet e Superligës, ndërsa këtë sezon nga Shqipëria po punojnë në Kosovë, Mirel Josa tek Prishtina dhe Blendi Shkëmbi tek Liria.

E atyre shumë shpejt mund t’ju shtohet edhe një trajner nga jashtë.

Kampioni i Kosovës, Trepça ’89 mund ta marrë një trajner të huaj gjatë janarit, në vend të trajnerit Gani Sejdiu.

Fjala është për trajnerin portugez me shtetësi spanjolle, Jaime Filipe.

“Me Ganiun po na shkon mirë dhe natyrisht se njihemi moti dhe kemi raporte dhe punë të mira. Gjatë pushimit dimëror skuadra do të udhëtojë për përgatitje në Turqi, ku presim të na bashkohet trajneri portugez. Fjala është për një trajner shumë cilësor, sepse ai ka punuar në akademitë e Barcelonës, të Real Madridit, të Milanit dhe të klubeve tjera me renome dhe kush jemi ne të mos ia besojmë punën një trajneri të tillë, kur klubet më të mëdha evropiane i kanë besuar”, ka deklaruar për “Zërin” kryetari i klubit mitrovicas, Abedin Zeka.

abedin zeka

Sidoqoftë, Zeka thotë se ende s’ka asgjë konkrete rreth postit të kryetrajnerit dhe ende nuk dihet nëse Sejdiu do të mbetet kryetrajner apo do t’i mundësohet pozita e ndihmësit të trajnerit portugez.

“Një gjë dihet, se futbolli ynë ka ngecur dhe duhet t’i shfrytëzojmë mundësitë sikurse klubet, ashtu edhe trajnerët tanë, futbollistët dhe të gjithë të mësojmë nga përvojat e të huajve. Nuk është marre prej nesh të mësojmë nga ata që dinë dhe kanë përvojë më shumë se ne”, ka theksuar ai.
Sa i përket afatit kalimtar të janarit Zeka jep paralajmërime interesante.

“Nuk është korrekte të përmendim emra, por sigurisht se do të largohen 3-4 lojtarë që nuk i kanë arsyetuar pritjet. Ndërkohë, do t’i sjellim 3-4 lojtarë të tjerë nga jashtë. Ekziston mundësia ta huazojmë ndonjë lojtar prej Skënderbeut”, shpjegon ai.

trepca 89

Trepça 89