Klubi i Superligës ofron 50 mijë euro për kartonin e Bregut të Skënderbeut

Dejvi Bregu mund të nisë një aventurë larg Superiores, por sërish në tokë shqiptare.

Për mesfushorin e Skënderbeut ka shfaqur interes konkret Prishtina dhe ka shumë gjasa që vlonjati, ashtu si edhe shumë lojtarë e trajnerë të tjerë nga Shqipëria, t’u bashkohet bardhebluve të Kosovës.

OFERTA JOSHËSE

Prishtina është shndërruar në një destinacion të lakmueshëm për futbollistët shqiptarë. Jo vetëm sepse ka emër të madh, po investohet shumë, por është edhe një ekip me pretendime. Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa lufton çdo sezon për titull, por ndërkohë ka arritur që të rrisë ndjeshëm edhe nivelin e pagave. Mësohet se Bregut i është bërë një ofertë serioze nga drejtuesit e klubit dhe ai po e studion me kujdes.

Por oferta është gjithashtu joshëse edhe për klubin e Skënderbeut. Bëhet fjalë për 50 mijë euro për kartonin e lojtarit, në formë huazimi me detyrim blerjeje. Në rast se shitet nga Prishtina në ndonjë klub tjetër, Skënderbeu do të përfitojë edhe gjysmën e shumës.

E njëjta formulë me atë që Takaj përdori edhe për transferimin e Gavazajt te klubi i Kukësit. Bisedimet deri tani kanë ecur mirë, edhe pse nuk është arritur një marrëveshje konkrete. Thjesht sinjalet kanë qenë pozitive nga të dyja palët. Tani është futbollisti ai që vendos nëse do të lërë Superioren për të shkuar te Prishtina, apo do të shohë mundësi të tjera.

SITUATA NË KORÇË

Mbetet një dilemë e madhe se çfarë do të ndodhë tani me Skënderbeun. Duke parë largimin e lojtarëve të rëndësishëm si Vangjeli, Bregu, Gavazaj, Pervan, etj, po bëhet gjithnjë e më e qartë se korçarët nuk do të jenë më një ekip pretendent. Bashkia ka miratuar parimisht rritjen e buxhetit me 10 milionë lekë të rinj, por gjithsesi nuk ka asnjë vendim konkret.

Së fundmi, është folur edhe për një dënim të mundshëm të Skënderbeut nga vetë federata, për ta zbritur një ose disa kategori më poshtë. Vendim që mund të ketë një lloj “kompromisi” brenda edhe me vetë drejtuesit e Skënderbeut, me qëllim që të punohet për një projekt të ri në rast se edhe Gjykata Federale e Zvicrës lë në fuqi vendimin e UEFA-s.