Klube nga Kosova dhe disa menaxherë ia mësyjnë Hasan Mamutit në Maqedoni

Hasan Mamuti është një talent i dalluar shqiptar në Maqedoninë Veriore. Ai është vetëm 18-vjeç, por ka rënë në sy të disa klubeve shqiptare dhe të disa menaxherëve të njohur shqiptarë që bashkëpunojnë me klube të huaja. Mamuti është nga Shkupi dhe luan si mbrojtës, por din të luajë mirë edhe në pozitën e mesfushorit qendrorë.

Ai aktualisht është pjesë e të rinjve të FC Shkupit shqiptar, prej të cilit klub mund të largohet gjatë verës pasi aty ka konkurrencë të madhe, kurse te klubet maqedonase nuk ndihet i gatshëm për të luajtur. Mamuti ka zgjuar interesim te disa klube tjera në Maqedoni dhe në Kosovë. Mamuti në fakt mund të transferohet në Superligën e Kosovës, prej nga është kontaktuar nga dy-tri klube kosovare.

Por, dëshiron të jetë i kujdesshëm në zgjedhjen që do ta bëjë pasi është i interesuar ta bëjë hapin e duhur duke u transferuar në një klub të cilit mund t’i ndihmojë në arritjet e objektivave dhe në anën tjetër të përfitojë personalisht në aspektin e zhvillimit.

Mamuti është kontaktuar nga disa menaxherë që bashkëpunojnë me klube të huaja të cilët po e presin një eksperiencë të tij në një ekip senior qoftë në Maqedoni apo në Kosovë për ta transferuar pastaj në ndonjë klub evropian.

Mamuti nuk dëshiron të ngutet nga kujdesi për ta bërë hapin e duhur të karrierës.