Kosova mbyllë Lojërat Evropiane me tri medalje

Ekipi i Kosovës ka mbyllur sot garat në Lojërat e dyta Evropiane Minsk 2019, të cilat po mbahen në kryeqytetin e Bjellorusisë.

Garuesi i fundit që garoi sot ishte karateisti Alvin Karaqi, i cili pavarësisht perfomancës së mirë, i mungoi fati që të kualifikohet në gjysmëfinale.

Kosova do ta kujtojë Minskun 2019 me tri medalje të fituara, një të artë, një të argjendtë dhe një të bronztë, të tria këto nga sporti i xhudos.

Të artën e fitoi Majlinda Kelmendi, të argjendtën, Nora Gjakova, ndërsa të bronztën, Loriana Kuka.

Paraqitje të mirë pati edhe boksieri Patriot Behrami, i cili hyri në mesin e tetë boksierëve më të mirë nga 32 sosh, në kategorinë -69 kg.

Nesër në mbrëmje, ekipi i Kosovës do të defilojë në ceremoninë mbyllëse të Lojërave Evropiane Minsk 2019.