Kanceri, humanizmi, klubi i zemrës dhe sporti i parë i tij: Agim Ademi ashtu siç nuk e kemi njohur

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka qenë i ftuar në emisionin Oxygen të moderatorit Besim Dina.

Përmes një bisede shumë të këndshme për publikun, Ademi tregoi shumë gjëra interesante që nuk i kemi dëgjuar më parë, përcjellë Gazeta Olle.

Një virtyt pozitiv i tij është humanizmi, duke folur për të cilin Ademi zbuloi që ka mundur sëmundjen e kancerit.

“Humanizmi është një virtyt i lashtë i yni si popull dhe derisa kemi mundësi, duhet ta kultivojmë dhe ta ruajmë me fanatizëm këtë veti”, deklaroi Ademi.

“Do të vazhdojë deri në vdekje, sa të kem mundësi. Unë e kam pasur kancerin dhe e kam mposhtur atë. Paratë s’do t’i marrim me vete, andaj sa kemi mundësi është mirë të bëjmë humanizëm”, shtoi ai.

Ademi tregoi se para futbollit është marrë me një sport tjetër.

Kreu i FFK-së është marrë me karate.

“Karate është sport i intelegjencës. Para futbollit e kam praktikuar këtë sport dhe më ka mbetur gjithmonë në zemër”.

“Megjithatë, futbollin e vazhdova më shumë për shkak të ndjenjës”, u shpreh Agimi.

Gjithsesi, ai ka kujtuar edhe disa momente interesante nga futbolli derisa ka folur edhe për legjendën Fadil Vokrri.

“Më kujtohet një situatë interesante, kur i thash gruas se i kisha paratë vetëm për të blerë një lavatriçe. Njëkohësisht më thirrën nga klubi i Kosovës së Prishtinës, të cilin e drejtoja dhe më thanë që iu mungon një lavatriçe. Me ato para e bleva lavatriçen dhe e dërgova në klub”, kujtoi duke qeshur Ademi.

“Sa i përket Fadil Vokrrit, ka qenë prirësi ynë, ka pasur një karizëm fantastik dhe ka qenë futbollist i jashtëzakonshëm”.

“Me kë mund ta krahasoj? Nuk e di, ai ka qenë shumë i paparashikueshëm si futbollist. Driblimet ndoshta sikur të Messit, derisa ka pasur edhe një fizik të hatashëm”.

“Ai ka luajtur për Jugosllavinë dhe i ka përfaqësuar 22 milionë banorë. Edhe pse nuk e kanë dashur dhe shpesh herë e kanë diskredituar, ai me paraqitjet e tij iu ka mbyllur gojën”, theksoi numri një i FFK-së.

Mes tjerash, Ademi ka komentuar edhe sukseset e ekipit të Kosovës.

Ai u shpreh i bindur që skuadra e Bernard Challandes do të kualifikohet në Kampionatin Evropian.

Duke folur për tifozët, përtej përgëzimit për “Dardanët”, ai tha se të gjitha grupet do të mbështetin Kosovën së shpejti.

“Po ju jap fjalën që së shpejti të gjitha tifo-grupet vendore, Plisat, Kuqezinjtë e Jakovës, Forca, Intelektualët e të tjerët, do t’i shohim te Dardanët duke mbështetur Kosovën”, tha ai.

Për fund ai zbuloi ekipin e zemrës, që është Kosova e Prishtinës.

“Secili e ka një klub të zemrës edhe pse për mua si kryetar i FFK-së të gjitha ekipet janë të njëjta”.

“Unë e dua Kosovën e Prishtinës sepse kam shumë kujtime në atë klub dhe e kam rritur me disa shokë këtë klub”, u shpreh Ademi. /Gazeta Olle/