Kjo është dita më e rëndësishme për Bajram Jashanicën

Kampioni i Shqipërisë në futboll, Skënderbeu, po kalon formën më të mirë në histori jo vetëm të klubit, por edhe në përgjithësi në histori të klubeve shqiptare.Skuadra nga Korça është shumë afër ta siguron një vend në Ligën e Evropës, por mund të ketë rastin që të kërkojë një vend edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Pjesë e këtij suksesi historik, janë edhe disa futbollist nga Kosova, e më të dalluarit aktualisht janë, Bernard Berisha, Liridon Latifi dhe Bajram Jashanica.Për futbollistin kosovar, Bajram Jashanicën, ndeshja e kthimit të mërkurën, do të jetë më e rëndësishmja për të gjithë shqiptarët.

“Në garat evropiane rezultati 2:0 nuk është shumë dhe duhet të kesh kujdes. E kemi fituar ndeshjen e parë, por në takimin e kthimit do të futemi në lojë sikur rezultati të ishte 0:0. Besoj që të kalojmë edhe këtë rreth dhe pastaj do ta presim shortin dhe të mësojmë kundërshtarin e radhës. Nuk është e pamundur asgjë. Kemi një skuadër shumë të fortë. Gjithsesi ndeshja e së mërkurës do të jetë më e rëndësishmja në karrierë jo vetëm për mua, por edhe për Skënderbeun dhe gjithë shqiptarët”, deklaroi Jashanica për Gazetën Tribuna.