Këtu janë dy skuadrat që i kërkojnë me ngulm Berishën dhe Latifin

Pavarësisht së është ende larg afati kalimtar i janarit, kambanat e huaja po bien vazhdimisht për lojtarët më të spikatur të Skënderbeut. Ashtu sikundër kishte bërë me dije pak ditë më parë “Panorama Sport”, tashmë çdo gjë bëhet akoma edhe më e qartë.

Bernard Berisha po tundohet vazhdimisht nga një ofertë e Lokomotivës së Moskës, e cila ka shfaqur interesin për shërbimet e mesfushorit kosovar të Skënderbeut.

Burime të sigurta të “Panorama Sport” bëjnë me dije se tashmë oferta është në zyrat e klubit bardhekuq që po merren me shqyrtimin e mundësive për të përfituar diçka nga një shitje e mundshëm e Berishës.

Rusët do të ketë mundësi ta shikojë edhe një herë nga afër lojtarin në përballjen e fundit të grupeve të Europës. Por, sigurisht, ajo që mbetet për t’u parë është oferta zyrtare që do t’u paraqitet bardhekuqve për Berishën, të cilët më pas do të vlerësojnë si duhet se çfarë duhet të bëjnë me shërbimet e lojtarit bardhekuq.

Latifi dhe Olainka

Përveç Berishës, duket se edhe një tjetër kosovar është pranë largimit nga Skënderbeu. Liridon Latifi ka marrë një ofertë prej 800 mijë eurosh, e cila është depozituar në zyrat e klubit bardhekuq që duket tepër i joshur nga një ofertë e tillë. Pikërisht Club Brugge, një ekip i madh evropian që ka bërë këtë ofertë për Latifin, duket se do të kërkojë me ngulm që t’i marrë shërbimet e kosovarit që në muajin janar.

Por nuk është vetëm Latifi në fokusin e ekipeve belge. Një tjetër lojtar që duket pranë këtij kampionati është edhe Peter Olainka, i cili vijon të mahnitë me paraqitjet e tij në këtë sezon.

Edhe për Olainkën duket se është afër akordi me një ekip belg që, për momentin, nuk bëhet i ditur, por këtu, duke parë që lojtari ka një kontratë deri në 2017-ën, mund të shtyhet transferimi për në merkaton e fundsezonit.