Këto janë të veçantat dhe fotografitë e stërvitjes së fundit të Kosovës në ‘Loro Boriçi’ (FOTO)

Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar sonte stërvitjen e fundit para ndeshjes së nesërme kundër Ukrainës, njofton FFK e përcjellë GazetaOlle.com

Stërvitja është mbajtur në stadiumin “Loro Boriqi” në Shkodër, ku përzgjedhësi Albert Bunjaku, ka provuar disa prej skemave me të cilat do t’i kundërvihet ukrainasve, derisa vëmendje e posaçme i është kushtuar vijës së mbrojtjes dhe mesfushës, duke ditur forcën e rivalit në krahë.

Gjatë ditës Bunjaku me futbollistët e kanë bërë edhe analizën e lojës së Ukrainës. Ndërkohë, në konferencën për media, kanë dalë përzgjedhësi Bunjaku dhe kapiteni Samir Ujkani, të cilët kanë shprehur respekt për kundërshtarin, por edhe shpresë për rezultat pozitiv.

Bunjaku ka falënderuar gjithë popullin shqiptar për mikrëpritje dhe veçmas qytetin e Shkodrës, e cila ishte shtëpia e Kosovës në këto kualifikime.

Ai ka thënë se pret ndeshje të vështirë, por sipas tij presioni për fitore është tek Ukraina. Gjithsesi, Bunjaku do të ketë telashe për këtë sfidë, duke pasur parasysh faktin se nuk do të ketë në dispozicion gjashtë futbollistë.

Megjithatë, ai është i bindur që futbollistët që do të zbresin në fushë do të japin maksimumin dhe kanë dëshirë të flaktë për të marrë rezultat pozitiv.

Ndërkaq, kapiteni Samir Ujkani, ka deklaruar se ai dhe bashkëlojtarët e tij do të bëjnë çmos për të nxjerrë rezultat pozitiv në këtë sfidë dhe atë t’ia dedikojnë përzgjedhësit Bunjaku, që ka merita të mëdha për ngritjen e Kombëtares së Kosovës.

Stërvitjen e Kombëtares nga afër e ndoqën presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, nënpresidenti Agim Ademi dhe zv.sekretari i përgjithshëm, Arianit Ahmeti.

Të rikujtojmë se ndeshja Kosovë – Ukrainë, do të zhvillohet nesër në orën 20:45. /Gazeta Olle/