Këto janë fjalët e Gani Sejdiut pas fitimit të ‘Digitalb’ Kupës

Trajneri i Feronikelit, Gani Sejdiu, deklaroi pas finales së ‘Digitalb’ Kupës ndaj Trepçës ’89 se skuadra e tij nuk e kishte si synim në fillim të kampionatit, fitimin e këtij trofeu.

“Ne e kishim arritur synimin tonë ditë më parë, kur fituam titullin, kurse ky trofe nuk ishte në objektivat tona. Megjithatë, shumë futbollistë që kishin lëndime të fituara nga ndeshja kundër Prishtinës, sakrifikuan dhe u futën në fushë vetëm për ta fituar Kupën. Dhe, unë i falenderojë për sakrificën që e kanë bërë deri tash, meqë nuk ka qenë e lehtë të motivohen kur dihet se ne nuk kemi pasur as fushë për t’u stërvitur e lërë më të luajmë. Trepça ’89 e kishte presionin më të madh, pasi ne e kishim titullin e fituar. Ne dëshmuam se nuk e kemi fituar pa meritë titullin e kampionit”, ka thënë trajneri Gani Sejdiu.