Këto janë dy sfidat drithëruese të barazhit, nëse nuk ndryshojnë tabelat e Superligës dhe Ligës së Parë!

Superliga dhe Liga e Parë kanë hyrë në fazën finale duke lënë të hapura disa pozita shumë të rëndësishme.

Kësaj radhe po fokusohemi në fund të elitës dhe në krye të Ligës së Parë, ku katër skuadra do të përballen mes veti në dy sfidat drithëruese të barazhit për të kërkuar dy bileta Superlige, përcjellë Gazeta Olle.

Aktualisht në pozitat e barazhit në Superligë janë Flamurtari dhe Gjilani.

Prishtinasit zënë pozitën e 9 me 39 pikë, ndërsa Gjilani është në vendin e 10 me 35 sosh.

Në anën tjetër në Ligën e Parë, Besa është në pozitën e tretë ndërsa Vëllaznimi në vendin e katërt.

Nëse eventualisht kampionatet mbyllen me renditjet aktuale, atëherë në barazh do të takohen Flamurtari-Vëllaznimi dhe Besa-Gjilani.

Gjithsesi, deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe dy xhiro, kështu që Flamurtari dhe Gjilani kanë ende gjasa matematikore për t’i shpëtuar barazhit.

Në anën tjetër, Besa dhe Vëllaznimi sipas të gjitha gjasave do të luajnë në barazh dhe maksimumi që mund të bëjnë është që të ndryshojnë pozitat e tyre. /Gazeta Olle/