Këta janë lojtarët e Kosovës për Kampionat Botëror

Pak ditë kanë mbetur deri te fillimi i Kampionatit Botëror për shtetet në zhvillim në hendboll (meshkujt). Federata e Hendbollit e Kosovës po i bën përgatitjet e fundit veçmas në Gjakovë dhe Prishtinë, që palestrat të janë në nivelin më të lartë. Nga ana tjetër, përzgjedhësi i  Kosovës, Taib Kabashi, bëri të ditur listën e hendbollistëve që do të paraqitë në Kampionatin Botëror për shtetet në zhvillim. Kosova është në grupin D me Maltën dhe me Indinë, ku llogaritet edhe favoritë. Grumbullimi i kombëtares së Kosovës bëhet në Prishtinë me 12 qershor, ndërsa do të akomodohen në hotel ‘Adria’, kurse stërvitjet do të organizohen në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë.

“Do të stërvitet dy herë në ditë që të janë sa më të gatshëm për sfidat e botërorit për shtetet në zhvillim “, thuhet nga FHK-ja. Në sy bien se Kabashi ka ftuar edhe disa hendbollistë që luajnë në shtetet e jashtme, si: Krasniqi në ekipin Anafen Koleji të Turqisë, Ndrecaj në Bjellovar të Kroacisë dhe Xhafolli në Gjermani.

Kabashi ka ftuar këta hendbollistë për këtë ngjarje që mbahet nga 20-26 qershor: Curri (Vëllaznimi), Gashi (Prishtina), Berisha (Besa Famiglia), Beshiri (Prishtina), Fetahu (Samadrexha), Gjuka (Besa Famiglia), K.Shala (Besa Famiglia), Krasniqi (Anafen Koleji – Turqia, Ndrecaj (Bjellovar – Kroacia), Jupa (Besa Famiglia), Prekazi (Prishtina), Mjeku (Prishtina), Syla (Kastrioti), Hoxha (Prishtina), Tahirukaj (Besa Famiglia) dhe Xhafolli -Gjermania). Kabashi së bashku me trajnerin Jeton Havolli do të përpiqen ta përgatitin ekipin sa më mirë.