Këta janë investitorët gjermanë që duan të marrin aksione te Llapi

KF Llapi ka pasur mysafirë të veçantë në ndeshjen e fundit ndaj Gjilanit, që e zhvilloi të shtunën si nikoqir.

Klubi llapjan për mysafirë kishte Holger Krebs dhe aksionarin nga Kosova që vepron në Gjermani, Albert Hashimi.

Krebs dhe Hashimi kishin ardhur për të biseduar me drejtuesit e klubit që të bëhen pjesë e tyre.

Para fillimit të ndeshjes, trajneri i KF Llapit, Tahir Batatina dhe pronari i klubit, Beqir Batatina ua dhuruan një pikturë që pasqyron qytetin e Podujevës.

Gjermani Krebs pas ndeshjes është shprehur i kënaqur me ndeshjen që “Legjendat” e zhvilluan, duke e mundur Gjilanin me rezultat 2:1.

“Kontaktet e para me Llapin kanë ardhur përmes Albert Hashimit, kjo është hera e parë që isha këtu, sa i përket lojës jam shumë i kënaqur, ishte atmosferë e mirë në tribunë. Ne po e marrim fitoren me vete në Gjermani dhe kjo fitore është bërë edhe më e madhe pas humbjes së Feronikelit. Mendoj se Llapi me punë serioze mund të përparon shumë”, ka deklaruar Krebs për Sportin në KTV, transmeton Insporti.com.

Ai tutje ka shtuar se shumë shpejtë do të nënshkruajë një kontratë me KF Llapin.

“Do të ketë nevojë që të bisedojmë për një koncept të klubit, fokusi ynë është që të rrisim nivelin e organizimit dhe të krijojmë kushte për grupmoshat e reja. Biseda që kemi bërë është shumë pozitive dhe besoj që do ta gjejmë një rrugë të përbashkët, do të sqarohen të gjitha gjërat dhe do ta nënshkruajmë kontratën”, ka përfunduar Krebs.

Kryetari i klubit, Beqir Batatina, ka deklaruar se KF Llapi ka pasur shumë oferta të ndryshme, por që kanë vendosur për ata që i njohin më mirë dhe për këtë arsye do të jenë dy gjermanë dhe një shqiptar.

“Këta donatorë do të na ndihmojnë në anën financiare, por do të na ndihmojnë edhe shitjen e futbollistëve në klubet evropiane”, ka thanë Batatina për Sportin në KTV

KF Llapi me fitoren e fundit ndaj Gjilanit ka rritur gjasat për titull të kampionit, pas humbjes së liderit të Superligës, KF Feronikelit ndaj Ferizajt.

KF Llapi renditet në pozitën e tretë me 60 pikë, vetëm dy pikë më pak se “Nikli” dhe Prishtina që mbajnë pozitat e para të tabelës.