KEK-u shpartallohet ende pa e shijuar Superligën

Sipas të gjitha gjasave, kompania ‘Rahmer’ që e financoi KEK-un në edicionin e fundit nuk do të vazhdojë bashkëpunimin edhe në edicionin e ri.

Kryetari i deritanishëm i klubit, Arben Shahini këtë ua ka kumtuar disa prej drejtuesve komunalë, të cilët janë të detyruar që ta marrin përsipër organizimin e klubit, shkruan Gazetasheshi.com.

Lirimi i të gjithë futbollistëve, pastaj largimi i trajnerit dhe mostransferimi i asnjë lojtari tjetër janë shenjat që Shahini me stafin e tij nuk do të vazhdojnë më investimet te KEK-u.

Gjithsesi, mbetet për t’u parë se cilat do të jenë lëvizjet e orëve në vijim, por situata te KEK-u nuk është më e mira pavarësisht premtimeve që kryesia kishte se ‘elektricistët’ do të jenë ‘arrë e fortë’ edhe në Superligë.