Kastrioti – Besa dhe Istogu – Vushtrria, finalet e hendbollit

Kastrioti i Ferizajt është finalisti i parë në plejofin e Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt), njofton FHK, përcjell Gazeta Olle.

Kalimin në finale Kastrioti e siguroi të mërkurën kur në kryeqytet e mposhti Prishtinën me rezultat 32:26. Pas pjesës së parë rezultati ishte 17:14 për ferizajasit.
Ishte kjo fitorja e dytë e Kastriotit në gjysmëfinale të plejofit ndaj Prishtinës. Të shtunën në Ferizaj, Kastrioti fitoi me rezultat 28:21. Kastrioti në stinor të rregullt në Superligën A ishte në vend të dytë e Prishtina në vend të tretë.


Kastrioti ka fituar Kupën e Kosovës këtë edicion dhe tani do të luftojë edhe për titull të kampionit. Në ndeshjen e së mërkurës më efikasi te Kastrioti ishte D. Terziqi me 11 gola. Te Prishtina më efikasi ishte A. Basholli me 5 gola.

Edhe Besa në finale

Kampioni aktual, Besa Famgas ka zënë vendin e merituar të tij në finale të plejofit, duke shënuar të mërkurën një fitore tjetër të lartë ndaj Vëllaaznimit të Gjakovës. Ndeshja e dytë gjysmëfinale e plejofit u luajt në Gjakovë, ndërsa Besa fitoi me rezultat 37:12. Ndeshjen e parë gjysmëfinale të luajtur të shtunën në Pejë, Besa e fitoi me rezultat 39:10. Kështu me dy fitore bindëse Besa Famgas kalon në finale ku takohet me Kastriotin.
Besa stinorin e rregullt e mbylli në vend të parë e Vëllaznimi në të katërtin.

Istogu – Vushtrria, finalja e femrave

Istogu e ka fituar edhe ndeshjen e dytë ndaj Shqiponjës dhe për herë të parë do të luajë në finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat). Të mërkurën në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të luajtur në Gjakovë, Istogu fitoi ndaj Shqiponjës me rezultat 31:25 dhe kështu siguroi finalen. Ndeshjen e parë të luajtur në Pejë, Istogu e kishte fituar me rezultat 35:26.
Në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, rezultati pas pjesës së parë ishte 17:13 për istogaset. S. Ujkiq me 8 gola ishte më efikasja te Istogu, ndërsa 7 gola i realizoi P. Ferataj. Nga 9 gola për Shqiponjën i shënuan Sh. Mehmeti e A. Nivokazi.
Istogu ka përfunduar stinorin e rregullt në vend të parë, ndërsa Shqiponja në vend të katërt. Kështu Kosova do të ketë një kampion të ri te hendbollistet. Shqiponja nuk do të mbrojë titullin e fituar vitin e kaluar.
Vushtrria mposht sërish Prishtinën, kalon në finale

Vushtrria eliminoi Prishtinën

Hendbollistet e Vushtrrisë do të luajnë në finale të plejofit të Superligës së Kosovës. Finalen ndaj Istogut, Vushtrria e siguroi të mërkurën me fitoren 24:22 ndaj Prishtinës, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve. Pas pjesës së parë rezultati ishte 12:11 për vushtrriaset.
Ishte kjo fitorja e dytë e Vushtrrisë në gjysmëfinale, pas asaj të arritur të shtunën në Vushtrri me rezultat 26:19. Kështu Vushtrria me dy fitore kalon në finale. Vushtrria përfundoi stinorin e rregullt në vend të dytë, ndërsa Prishtina në të tretin.
Të mërkurën më efikasja te Vushtrria ishte K. Avdiu me 6 gola, ndërsa A. Kelmendi realizoi 5 gola. M. Sefedini e Q. Berisha shënuan nga 4 gola për Prishtinën.