Kastriot Rexha përgënjeshtron trajnerin Arbnor Morina (FOTO)

 Kastriot Rexha prej javësh nuk është duke stërvitur me Besën e Pejës, me të cilën i ka skaduar kontrata.

Top-shënuesi momental i Superligës, sot ka përgënjeshtruar një akuzë të trajnerit të Besës, Arbnor Morina, i cili sipas Rexhës, ka depunuar një deklaratë të tij në Federatë.

Në këtë deklaratë të cilën e posedon edhe Gazeta Olle, shkruan se Rexha prej datës 29 janar nuk ka qenë i pranishëm në përgatitjet e Besës.

“Nga dita e premte (29.01.2016) lojtari Kastriot Rexha në mënyrë të njëanshme distancohet nga faza përgatitore e KF BEsë, dhe nuk i vijon stërvitjet sipas orarit të paraparë nga shtabi teknik. Po ashtu i bojkoton dy ndeshje kontrolluese të cilat Besa i luajti ndaj KF Vushtrria me datë 31.01.2016 dhe kundër Llapit më datë 06.02.2016. Pa asnjë njoftim në zyrën e klubit, pa ndonjë arsye, njëanshëm distancohet nga klubi dhe i shkakton klubit dëme të riparueshme në aspektin profesional, dmth bojkoton dhe e dëmton qëllimshëm në fazën kryesore të përgatitjeve. Lojtari Kastriot Rexha për këto sjellje të lartcekura dërgohet në komisionin disiplinor pranë KF Besa”, shkruan në deklaratën e Arbnor Morinës.

besa

Të gjitha këto i përgënjeshtron Rexha, i cili përmend data të tjera.

“Trajneri Arbnor Morina ka bërë një fletëparaqitje për mua, por ajo nuk qëndron. Unë kam stërvitur deri më 1 shkurt (e martë) konform rregullores dhe kontratës që kam pasur, derisa loja të cilën ai e ka përmendur, me Vushtrrinë, është luajtur më 3 shkurt, e jo më 30 janar. Për këtë kam dëshminë edhe të lojtarëve tjerë, të cilët nuk dua t’i përmend me emra”, ka thënë ai për GazetaOlle.com.

“Nuk e kam pritur nga trajneri një akuzë të tillë dhe një mossaktësi të datave të lartëpërmendura”, shtoi sulmuesi i mirënjohur.

Edhe në faqen zyrtare të Besës së Pejës në Facebook, shkruan se takimi me Vushtrrinë është zhvilluar më 3 shkurt. /Olle

besa loja