Kastrati flet si futbollist i ri i Dinamos: Tani dëshira më është plotësuar

Sulmuesi i krahut, Lirim Kastrati, të hënën ka firmosur me klubin më të madh kroat të futbollit, Dinamo Zagreb.

Reprezentuesi i Kosovës do të luajë si huazim te Lokomotiva e Zagrebit deri në fund të edicionit aktual e më pas do t’i bashkohet skuadrës së tij të re.

Kastrati 21-vjeçar, vetëm sa forcon lidhjen e Dinamos së Zagrebit me futbollistët shqiptarë. Te Dinamo kanë luajtur futbollistë të njohur shqiptarë, ndërsa disa prej tyre kanë shkruar histori me gjigantin nga Zagrebi.

Dinamo aktualisht e ka kapiten Arijan Ademin, që me prejardhje është nga Maqedonia Veriore. Ademi është reprezentues i Maqedonisë Veriore me të cilën Kosova takohet më 26 mars në Shkup në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Euro 2020.

Te Kosova në atë ndeshje me shumë mundësi shiritin e kapitenit do ta mbajë mbrojtësi i qendrës, Amir Rrahmani. Rrahmani kohë më parë firmosi me Napolin, por deri në verë do të luajë si huazim te Verona. Te Verona ka kaluar pikërisht nga Dinamo e Zagrebit, verën e kaluar. Edhe Rrahmani ishte huazuar te Lokomotiva, klub ky që vazhdimisht furnizon me lojtarë Dinamon.

Një kapiten tjetër, ai i Malit të Zi, Fatos Beqiraj, po ashtu ka luajtur për Dinamon. Ishte te kjo skuadër nga viti 2010 deri në vitin 2014, ndërsa fitoi shumë trofe. Ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit kroat në edicionin 2011\12. Beqiraj tani luan te Maccabi Netanya në Izrael.

Ish-reprezentuesit e Kroacisë, Ardian Kozniku e Kujtim Shala kanë dhënë gjithashtu kontribut në historinë e pasur të Dinamos. Madje Shala ishte prej më të pëlqyerve të tifozëve të Dinamos.

Të gjithë këta kanë bërë karrierë të pasur në futboll. Në këtë shpreson edhe Kastrati, që te Lokomotiva është prej vitit 2017.

“Prej kur kam ardhur në Kroaci kam shpresuar se një ditë do të përfundojë te Dinamo. Tani dëshira më është plotësuar. Dua t’i falënderojë të gjithë që kanë marrë pjesë në këtë dhe që më kanë mundësuar të jem pjesë e institucionit më të madh të futbollit në këto hapësira”, ka thënë Kastrati, që ka firmosur për pesë vite me Dinamon.

Ka edhe të tjerë shqiptarë që ishin te Dinamo, por pa lënë shumë gjurmë.