Karaqi e Nishevci shkëlqejnë në Salzburg

Karateistët kosovarë po vazhdojnë me paraqitje të mira nëpër gara ndërkombëtare të nivelit më të lartë.

Këtë fundjavë u mbajt gara Karate 1 Premier League, që u zhvillua në Salzburg të Austrisë. Në këtë garë u paraqitën karateistë të nivelit më të lartë botërorë, ndërsa kosovarët ia dolën të fitojnë dy medalje, shkruan Koha Ditore.

Në kategorinë deri 84 kilogramë, Alvin Karaqi fitoi medaljen e argjendtë. Ai të dielën në finale u mposht nga japonezi Ryutaro Araga. Ndërkohë në kategorinë +84 kilogramë, Herolind Nishevci e fitoi medaljen e bronztë.

Kosova u paraqit me nëntë garues, ndërsa plasman pati vetëm edhe Gresa Zhitia që në kategorinë deri 55 kilogramë u rendit e nënta.

Deri në finale, Karaqi i mposhti katër garues. Finalen e humbi me rezultatin 5:2. Araga është dy herë nënkampion i botës..