Kaq para do t’i takojnë FFK-së pas caktimit të poentimit të pikëve për Sportet kolektive dhe individuale nga MKRS

Në vendimin për përkrahjen e federatave sipas kategorive u është caktuar vlera financiare e poentimit të pikëve për Sportet kolektive dhe individuale. Poentimi për Sportet Kolektive dhe Individuale bëhet në katër grupe, A, B, C dhe D, shkruan Zëri.info.

Grupi A ndahet në: Federatat të cilat merren me Sporte Kolektive dhe kanë vlerën e pikës në shumë prej 3400 euro, dhe Federatat të cilat merren me Sporte Individuale dhe kanë vlerën e pikës në shumën prej 2000 euro. Për grupin B vlera e pikës është 1600 euro, për grupin C vlera e pikës është 1200 euro dhe për grupin D vlera e pikës është 800 euro.

Ndërkaq, me vendimin Ministrja Dumoshi ka caktuar vlerën financiare të poentimit të pikëve për Sportistët dhe Trajnerët. Vlera e pikës është në shumën prej 150 euro edhe për sportistë edhe për trajnerë.

Për të dyja vendimet Departamenti i Sportit do të jetë i obliguar t’i zbatojë në raport me caktimin e përkrahjes financiare të federatave sportive në Kosovë.

Shqetësimin më të madh për anën financiare e kanë shprehur drejtuesit e klubve kosovare të futbollit.

Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, ai i Ballkanit, Arsim Kabashi, donatori dhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina kanë bërë me dije se shpenzimet në futboll janë marramendëse, andaj kërkojnë mbështetje nga MKRS-ja, por edhe nga UEFA dhe FIFA.

Duke u bazuar në vendimet e mësipërme të ministres Dumoshi, ndarja e mjeteve për Federatën e Futbollit të Kosovës do të bëhet në bazë të ligjit për Kategorizimit të Sporteve për vitin 2020.

Federata e Futbollit të Kosovës ndodhet në kategorinë A dhe ka 79.28 pikë, dhe si rrjedhojë e kësaj, këto pikë do të shumëzohen me 3400 euro, që nënkupton se shtëpisë më të madhe të futbollit kosovar do t’i ndahen 269,552 euro.

Këtë e ka bërë me dije edhe drejtori i Departamentit për Sport, Ibër Alaj.

Alaj ka bërë me dije se kjo shumë do t’i ndahet Federatës së Futbollit të Kosovës, duke thënë se shuma në fjalë do të alokohet në këste.

“Po, do të ndahet me këste. Kësti i parë jepet avans. Raportohet në mënyrë që të përfitohet kësti i radhës sipas alokimit të buxhetit”, ka thënë Ibër Alaj.

Zëri.info ka kontaktuar edhe kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi për ta komentuar ndarjen e mjeteve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ademi e ka falënderuar MKRS-në për ndarjen e mjeteve, derisa thotë se do të kërkojnë mbështetje edhe nga UEFA dhe FIFA.

“E falënderojmë MKRS-në për ndarjet e mjeteve, dhe ne do t’i alokojmë sipas rregullores. Ende nuk i kemi marrë mjetet. Sa i përket kësaj situate emergjente nga koronavirusi, ne do të kërkojmë ndihmë edhe nga UEFA dhe FIFA”, ka thënë Ademi.

Nga ana tjetër, ministrja Dumoshi tha se vendimet të cilat i nënshkroi sot përpos që janë konform rregulloreve që e përcaktojnë këtë gjë, janë mjete me të cilat do të përkrahen federatat e sportit, sportistët dhe trajnerët në vendin tonë.

“Jam shumë e lumtur që sot nënshkrova vendimet për vlerën e poentimit të pikëve për federatat, sportistët e trajnerët, sepse kjo përcakton edhe nga sa para do të marrin njerëzit e sportit në Republikën e Kosovës. Duke pasur parasysh ditët e vështira nëpër të cilat po kalojmë, kam kërkuar që mjetet t’u barten sa më shpejtë federatave, sidomos tremujori i parë, si dhe sportistëve e trajnerëve”, ka thënë ndër të tjera ministrja