Kaq do të përfitojë Skënderbeu nga shitja e futbollistit të Kosovës

Skënderbeu ka arritur marrëveshjen me suedezët e Kalmar për transfermin e mbrojtësit Fidan Aliti në Allveskaen.

Fillimisht për mbrojtësin e përfaqësueses së Kosovës u interesuan Hammarby dhe Malmo por mesa duket lëvizjen konkrete për të firmosur me Alitin ish-skuadra e portierit të kombëtares kuqezi Etrit Berisha, Kalmar. Skënderbeu pretendonte të fitonte nga 400 mijë deri në 500 mijë euro nga shitja e 25-vjeçarit kosovar, por akordi me Kalmar është arritur për një shifër goxha më të ulët.

150 mijë euro do të përfitojnë korçarët nga shitja e Alitit te Kalmar, shkruajnë mediat shqiptare.

Mbrojtësi i lindur në Preshevë u afrua te korçarët nga kroatët e Slaven Belupo një vit e gjysmë më parë dhe gjatë kësaj periudhe ka qenë një titullar i padiskutueshëm dhe një lider i vërtetë në mbrojtjen e skuadrës së Orges Shehit, transmeton Gazeta Olle.

Gjithsesi nga sa mësohet Skënderbeu ka pranuar ta shesë për një shifër shumë më të ulët nga sa pretendonte Fidan Alitin, pasi ka ruajtur 25% të kartonit në rast rishitjeje nga ana e Kalmar.