Kapiteni që nuk ndalet kurrë

Pas një jave mbushur me polemika e deri te sherr fizik, sipas thashethemeve, duket se duelin Spalleti-Totti e ka fituar ky i fundit.

Kapiteni verdhekuq është në fundin e karrierës, por kërkon të luajë dhe sot ka vërtetuar me fakte se meriton më shumë respekt dhe hapësirë.

Roma fitoi 3-2 ndaj Torinos në një ndeshje dramatike, që ndoshta do të hyjë në histori dhe do të mbetet një ndeshje shumë e veçantë për Totin dhe tifozët e tij personalë, që në Romë janë pa fund.

Deri në minutën e 86-të kryesonte Torino 2-1 dhe Roma ishte në vështirësi, me tifozët që fishkëllyen trajnerin, i cili si zakonisht i dha pak minuta Totit.

Në të 86-tën “Er Pupone” u fut, në të 87-tën devijoi në rrjetë një pasim nga Manolas dhe 3 minuta më vonë sërish Toti shënoi nga pika e bardhë një penallti paksa “bujare” nga arbitri Kalvareze.

247 gola në Serinë A për kapitenin e Romës, një mit që nuk pranon të jetë spektator.